Bledi Shkëmbi: Nuk jemi aty ku duhet, por nuk kemi pasur dhe fat
Teuta-Kukësi është ndeshja që do të hapë javën e 22 të kategorisë superiore.

Është një ndeshje ku të dyja skuadrat kanë lënë pikë në javët e fundit, teksa Teuta ka 4 ndeshje që nuk fiton, ndërsa Kukësi u mposht nga Tirana duke u larguar dhe më shumë nga lufta për titullin kampion.

Në prag të sfidës ndaj verilindorve ka folur trajneri i Teutës Bledi Shkëmbi.

"Nuk kemi qenë aty ku duhet javën e fundit. Me Flamurtarin dhe Tiranën nuk ishim mirë në lojë, ndërsa me Kamzën nuk arritëm të shfrytëzonim rastet që krijuam. Nuk patëm edhe fat në ndeshjen e fundit. Po vuajmë finalizimin në javët e fundit, ku nuk kemi mundur të shkojmë te fitorja. Nuk duhet ta përjetojmë keq situatën, sepse të gjithë e dimë se i kemi mundësitë të kthehemi në nivelin e duhur. Shpresoj ta bëjmë që këtë javë, me ndihmën e fatit.
Nuk është se kemi ndryshuar në grup, vetëm Arapi po luan nga ata që erdhën në merkaton e dimrit, është po ajo Teutë. Presim që Latif të kthehet në formën e tij më të mirë. Kukësi? Patjetër që është shumë e vështirë, sepse luajmë ndaj një ekipi që pretendon titullin. Ne thjesht duhet të bëjmë atë lojë që kemi bërë më parë, kur kemi marrë rezultate pozitive", – ka theksuar në prononcimin e tij për "Supersport" trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi.
Shtuar më 14/02/2019, ora 17:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori