Blindohet Rio, 11,300 forca sigurie për finalen
Bilancit relativ të incidenteve në Brazil gjatë Kupës së Konfederatave vazhdon t’u shtohen shifrat negative. Edhe në gjysmëfinalen mes Spanjës dhe Italisë përplasjet në rrugët e Fortalezas kanë qenë nga më të dhunshmet dhe stadiumi "Arena Castelao" është shndërruar në një arenë të vërtetë përleshjesh. Forcat e rendit kanë arrestuar 92 protestues, mes të cilëve 24 ishin minoren. Mes të ndaluarve, policia ka njoftuar se figurojnë edhe tetë persona, të cilët kanë tentuar të rrëmbejnë një autobus që po transportonte tifozë në stadium.

Edhe sot janë parashikuar protesta në Rio de Janeiro. Qindra mijëra njerëz janë kundër shpenzimeve marramendëse që janë bërë për Kupën e Konfederatave, Botërorin dhe Lojërat Olimpike "Rio 2016″. Protestave anti-qeveritare i janë bashkuar edhe ish-yje të skuadrës braziliane si Romario apo Ronaldo.

Për të siguruar mbarëvajtjen e finales së "Maracana"-s policia braziliane, veç zbritjes së ushtrisë nëpër rrugët e Rios, do të blindojë stadiumin me 11.300 agjentë specialë. Nga këta, 6 mijë do jenë forca të Policisë Ushtarake, që do vendosen jashtë stadiumit në 100 pika të ndryshme. Sipas Zyrës së Sigurisë Speciale për Evenimente të Jashtëzakonshme, 10 mijë policë rendi, ushtarakë, garde, trafiku dhe forca speciale do ndihmojnë në operacion. Ndërkohë që 1.050 deri në 1.300 forca të tjera do jenë të përqendruara në brendësi të stadiumit.

Policia do përpiqet të ndalë dhe personat që do tentojnë të hyjnë me bileta të falsifikuara në stadium, sepse 78.838 biletat e stadiumit legjendar janë shitur të gjitha. Edhe Bashkia e Rios ka marrë një sërë masash, duke bllokuar kalimin e automjeteve në rrugët kryesore që të çojnë drejt stadiumit.

Me pak fjalë, Rio sot do t’i ngjajë një shtetrrethimi të vërtetë. /albeu.com/



Shtuar më 30/06/2013, ora 11:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori