Bllokimi nga FIFA, Barça nxiton në merkato: Ja 4 emrat (FOTO LAJM)

Koke - Atletico Madrid
Pëlqej
Në futboll gjërat mund të precipitojnë me një shpejtësi marramendëse. Ratifikimi i dënimit nga ana e FIFA-s që e ndalon Barcelonën për të bërë merkato deri në janarin e vitit 2016, bën të mundur që drejtuesit e klubit blaugrana të lëvizin me shpejtësi në këtë drejtim. Tashmë stafi drejtues duhet të hedhë shikimin larg dhe të kompletojë skuadrën me një plan afatgjatë, kështu që ditët në vazhdim pritet të jenë mjaft të ngjeshura për të synuar fuqizimin dhe kompletimin e ekipit.

Ditët deri në fund të muajit do të jenë decizive për të përcaktuar fatin e mesfushorit të Atletico Madrid, Koke.

U bë kohë që drejtuesit e kërkojnë me ngulm 22-vjecarin madrilen dhe në fakt Barça pritet t’i ofrojë bardhekuqve një ofertë tepër të majme, në mënyrë që kjo marrëveshje të mbyllet sa më shpejt që të jetë e mundur. Interesant është fakti se nuk bëhet fjalë për këtë sezon, pasi është e pamundur që trajneri argjentinas Diego Simeone të privohet nga njëri prej yjeve të skuadrës.

Pra ideja është e qartë Barça i ka ofruar klubit madrilen një ofertë tepër joshëse, që kënaq të dy palët. Nga njëra anë Atletico do të arkëtojë një shumë të konsiderueshme ndërsa në krahun tjetër Los Colchoneros do të kenë në dispozicion për një tjetër vit një prej mesfushorëve më të mirë. Pavarësisht se janë shumë pranë firmës me numrin 6 të Atleticos, Koke drejtuesit e klubit katalanas po lëvizin me shpejtësi gjithashtu për mbrojtësin brazilian Douglas.

Marrëveshja pritet të konkretizohet pikërisht këto ditë, pasi është e qartë që më 30 qershor të vitit 2015 Dani Alves do të largohet nga Barcelona. Luis Enrique ka nevojë për një futbollist në krahun e djathtë dhe 24-vjeçari i Sao Paulos duket se i përmbush më së miri pritshmëritë e tij. Edhe në këtë rast duket se mungon vetëm firma, por thjesht mbetet për t’u parë nëse do të veprohet njësoj si në rastin e mesfushorit Koke apo mbrojtësi brazilian do të përfshihet menjëherë në skuadër. Shumë më të vështira paraqiten rastet e Marco Reus dhe lojtarit të krahut që luan te Fiorentina Juan Cuadrado.

25-vjeçari gjerman është objektivi i gjysmës së Europës dhe për të ka oferta marramendëse, por dihet gjithashtu botërisht që është shënjestruar prej kohësh nga Bajerni i Mynihut, që do të bëjë të pamundurën për t’ia shkëputur verdhezinjve të Borussias. Pak a shumë njësoj paraqitet edhe rasti i 26-vjeçarit kolumbian, pasi Fiorentina e konsideron si thesar Cuadradon dhe si një mundësi për të mbushur arkën e klubit, prandaj edhe cmimi prej 32 milionë Euro vlerësohet si tepër i lartë, sidoqoftë në krahun e djathtë pritet të afrohet braziliani Douglas dhe ky detaj e largon gjithmonë e më shumë Cuadradon nga Barça. /albeu.com/
Shtuar më 21/08/2014, ora 09:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori