Boa kritikon Mexes dhe mbron Allegrin
Që nga fillimi i stonuar i Milanit deri te rasti Mekses. Ish futbollisti i kuqezinjve, Kevin Prince Boateng që u transferua verën e kaluar drejt Shalkes në Bundesliga rrëfehet në një intervistë ekskluzive, duke e filluar me një kritikë ndaj ish shokut të tij të skuadrës, Mexes për atë goditje ndaj Kielinit në përballjen me Juventusin.

"Është një nga miqtë e mi më të mirë, do gjithmonë të japë gjithçka dhe sigurisht që e ekzagjeroi. Skualifikimi prej katër ndeshjesh është i drejtë, Philippe duhet të qetësohet pak, edhe pse në ndeshje të tilla mund të ndodhë që ta humbasësh mendjen", kritikon Kevin Prince Boateng.

"K.O" i pësuar nga Juventusi e largoi akoma më shumë Milanin nga kryesimi i klasifikimit duke krijuar një hendek prej 13 pikësh.

"Nuk e prisja, e filluan keq por unë i njoh, janë një skuadër shumë e fortë dhe edhe këtë vit do të bëjnë mirë. Edhe vitin e kaluar e filluam kështu dhe pastaj arritëm në Champions", vijon ganezi.

Në Itali në dritën edhe të episodeve të reja me pezullimin e "San Siros" me një ndeshje, vazhdon të flitet për racizmin.

"E kam thënë dhe e përsëris. Nuk mendoj se Italia është një vend racist. Ka vetëm disa idiotë që shkojnë në stadium dhe argëtohen në këtë mënyrë. Ndonjëherë mendoj për atë që ndodhi në Busto Arsizio kundër Pro Patrias. Janë kujtime të këqija natyrisht, nuk e kuptojse si në 2013-tën mund të ndodhin ende gjëra të tilla", u shpreh mesfushori i Schalke 04.

Pas shitjes së tij Milan bleu Alessandro Matrin nga Juventus, por sulmuesi nuk është se po kalon një moment të mirë.

"Është gjithmonë e vështirë të hysh në një skuadër të re, me shokë dhe skema të ndryshme loje. Tani ai ka sytë e të gjithëve përsipër, ka presion, por është një lojtar i madh dhe sapo t’ia dalë të zhbllokohet do të bëjë mirë", vijoi Boa.

Ganezi e mbyll duke mbrojtur Massimiliano Alegrin që ka përfunduar në qendër të polemikave për shkak të mungesës së rezultateve: "Mua më dha besim duke lënë në stol njerëz të kalibrit të Ronaldinhos, Seedorf dhe Gattusos. Për mua është njeriu i duhur për ta nxjerrë Milanin nga telashet". /albeu.com/
Shtuar më 08/10/2013, ora 15:32
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori