Bodgani, 38 gola me aromë Italie
Tashmë u bënë dy. Kaq janë golat që Erion Bogdani ka shënuar për skuadrën e tij të re, Sienën, madje janë dy golat e vetëm në Serinë A këtë sezon për sulmuesin shqiptar. Sulmuesi kuqezi realizoi golin e parë në fitoren 3-0 ndaj Kaljarit, pra një gol tepër i rëndësishëm, duke treguar se vazhdon të jetë tepër i vëmendshëm dhe pozicional, ndonëse po mbush 35 vjeç.

Në pjesën e dytë erdhi edhe zëvendësimi për veteranin, i cili mori përshëndetjet e merituara nga publiku dhe stoli i Sienës. Sulmuesi e shënoi golin e parë këtë sezon javën e kaluar, në ndeshjen e fituar 4-1 ndaj Palermos, madje ishte një gol i rëndësishëm që i dha epërsinë e parë sienezëve në minutën e 34-ët.

Ky gol erdhi në ndeshjen e 16-të në Serinë A këtë sezon, dhe pas 612 minutash. Pas më shumë se 12 vjetësh në Itali, Bogu ka arritur në plot 72 gola, ndërsa në karrierë, Bogdani ka shënuar mbi 110 gola, ku pjesën më të madhe i ka në Apenine, aty ku ka zhvilluar më shumë se gjysmën e karrierës të nisur si 17-vjeçar tek Partizani më 1995.

Me 38 gola në Serinë A dhe 72 gjithsej në Itali, Bogu bëhet një nga lojtarët shqiptarë më prodhimtarë, ndonëse në një numër të madh ndeshjesh, plot 336 gjithsej në Itali, përfshi Serinë A, Serinë B, Kupën e Italisë dhe "play off". Besohet se goli ndaj Kaljarit nuk do të jetë i fundit, ndërsa ai do ta fitojë edhe një vit kontratë me Sienën. /albeu.com/
Shtuar më 05/03/2012, ora 16:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori