Bogdani "kopjon" De Biasin, u dërgon letër futbollistëve

Erjon Bogdani, trajneri i Shqipërisë U19, pas kualifikimit të skuadrës së tij në gjysmëfinalet e “Lazio Cup”, u ka shkruar sot një letër motivuese për ekipin e tij, letër e cila është publikuar edhe në faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit.

“Para katër ditësh, kur filluam grumbullimin, njihesha vetëm me disa prej jush. Nuk ishim akoma skuadër, por ishim një grup i bashkuar rreth një objektivi të përbashkët, të cilin ua thashë që ditën e parë kur filloi grumbullimi. Ditë pas dite, duke u njohur më shumë me njëri-tjetrin, pashë që të gjithë kishit të njëjtin objektiv, pavarësisht se e shfaqnit në mënyra të ndryshme.

Vija re tek shikimet e juaja pasionin, impenjimin, energjinë dhe papritur ajo që në fillim ishte thjesht një iluzion, nuk ishte më e tillë. Ajo që për të gjithë ne ishte një ëndërr, po bëhej realitet.

ÇUNA, ERDHI DITA JONË!!!
Futbolli dhuron shumë emocione dhe dje kur po ktheheshim me autobusin, u emocionova shumë. Ju falënderoj shumë për këtë. Ishte pikërisht ky moment, ku kuptova që ai grup i bashkuar ishte kthyer në një skuadër solide.

BASHKË JEMI TË PATHYESHËM! ËNDRRA VAZHDON!”, shkruhet në letrën e “Bogut” për djemtë e skuadrës. Kujtojmë që një gjë të tillë e ka bërë më parë edhe De Biasi kur ishte në fillim të aventurës me kuqezinjtë e rritur. /albeu.com/

Shtuar më 27/05/2017, ora 11:24
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori