"Boldor gabon rregullisht, a ka pasur më të dobët se ai Partizani?!"
Partizani u mposht dje në derbi, ndërkohë që pas ndeshjes reagimet kanë qenë të shumta. Një prej tyre që ka dhënë mendimin e tij është menaxheri Andi Matraxhiu, i cili vë gishtin në plagë dhe thotë se Deian Boldor dhe Aristoteles Romero ishin ata që gabonin më së shumti. Ai nuk ndalet me kaq, duke theksuar se gabimet ua mbulojnë menaxherët e tyre.

“Me të vërtetë derbi u humb nga Partizani, por ta analizosh me detaje, dy lojtarët Romero dhe Boldor gabonin në mënyrë fatale. Veprime të palejueshme në një ndeshje derbi. Gjithkush mund të gabojë, por Romero humbi topin tek të dy golat e shënuar nga Tirana, që erdhën si pasojë e kundërsulmit. Ndërkohë që Boldor gabon rregullisht çdo ndeshje, jo vetëm në derbi.

Të dy këto lojtarë kanë një dorë të fortë menaxhimi nga pas, e cila i mbulon gabimet e tyre brenda për brenda territorit të kuq. Nëse lojtarët do të kishin menaxherë të tjerë, menjëherë do të dilnin tek ‘gardhi’ ata së bashku me menaxherin. Por në rastin konkret, Boldor-Romero & CO janë me ‘jelekë anti-plumb’ dhe duhet kohë t’i ‘futet gjembi’ ne trup… Është koha të kritikojmë dhe të kemi kulturën e duhur për të mirëkuptuar çdo kritikë. Të mos ta quajmë sulm, por pasqyrim të realitetit”, shkruan Matraxhiu në llogarinë e tij në “Facebook”.

Matraxhiu dhe Babaj, kur pozonin pas transferimit të Liridon Ahmetit te Partizani
Një koment e ka lënë edhe Shpëtim Babaj, ish-futbollist i Besës, Elbasanit, Gramozit dhe Tiranës. Gjithashtu ai ka pasur eksperienca të rëndësishme edhe në Slloveni, Ukrainë dhe Kazakistan, për ta mbyllur karrierën në Kosovë. Babaj mendon se rumuni Boldor është më i dobëti mbrojtëse që Partizani ka marrë në 5-6 vitet e fundit, ndërkohë që ka kritika edhe për trajnerin Franco Lerda.

“Nuk kam qejf të akuzoj, por nuk e di se a ka lozur ndonjëherë lojtar (qendërmbrojtës ) më i dobët se ky Boldor tek Partizani këto 5-6 vitet e fundit, edhe pse fajin ja lej komplet trajnerit me gjithë këto gabime që bën qysh në fillim të kampionatit. Ku janë Asani dhe Mala? Çuditërisht po e durojnë jashtëzakonisht shumë, sepse as loja e Partizanit nuk është në nivelin e duhur që të shpresosh që ka progres dhe që do të vijnë rezultatet”, shkruan Babaj, i cili tani merret me menaxhim futbollistësh. /abcnews.al
Shtuar më 14/12/2019, ora 10:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori