Bonaventura i zhgënjyer nga Milani, kisha akoma për të dhënë
Pas 6 vitesh me fanellën e Milanit, Giacomo Bonaventura është një futbollist i lirë, pasi kuqezinjtë nuk i ofruan rinovimin e kontratës dhe aktualisht është në kërkim të një tjetër skuadre për të vijuar karrierën, ndonëse nuk e fsheh zhgënjimin ndaj milanezëve.

"Mund të jepja akoma shumë, por e kuptova që ndaj meje ndryshuan vlerësim, që pas dëmtimit në gju. Me një vit nga skadenca dhe me një dëmtim të rëndë, një shoqëri që të beson, të rinovon menjëherë, por me mua nuk ndodhi. Pati vetëm gjysma fjalësh. Milani ka parë gjithçka te unë, si anën njerëzore, ashtu edhe atë profesionale, por vura re që vlerësimi ndaj meje ndryshoi pas dëmtimit. Ose ndoshta ndryshoi stili i Milanit", u shpreh Bonaventura.

Gjatë 6 sezoneve me fanellën kuqezi, mesfushori i ardhur nga Atalanta numëron plot 184 ndeshje zyrtare, gjatë të cilave ka shënuar edhe 35 gola, ndërsa momenti që do të mbajë mend gjatë te Milani, është triumfi në Superkupën italiane, në Doha të Katarit.

"më vjen keq që gjatë kësaj periudhe te Milani, nuk pata të njëjtin trajner për 3-4 sezone radhazi. Na ndryshoheshin shumë shpesh trajnerët dhe gjithmonë përfundoje në provë. Kujtimi më i bukur do të mbetet triumfi në Superkupën e Italisë, në Doha. Ishte lumturi e pamasë të shihje shkëlqimin në sytë jo vetëm të trajnerëve dhe futbollistëve, por të të gjithë njerëzve që punonin në klub", deklaroi mesfushori.

Gjashtë muajt e fundit të karrierës së tij te Milani, Bonaventura luajti edhe në krah të gjigantit suedez Zlatan Ibrahimovic, për të cilin thotë se kishin marrëdhënie shumë të mira dhe nuk ia kursen elozhet.

"Pas ardhjes së Ibrës, mu rikthye entuziazmi dhe dëshira për të "pushtuar botën". Unë dhe ai ishim dy pleqtë e skuadrës. Ajo që Ibra bën në fushë, e shohin të gjithë, por diferencën te ai e bën inteligjenca, jo vetëm në futboll", tha Bonaventura.
Shtuar më 23/08/2020, ora 09:18
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori