Bordeaux fiton Kupën e Francës (VIDEO)
Bordeaux është fituese e Kupës së Francës, në një sfidë plot emocione dhe me përmbysje, ku heroi I mbrëmjes ishte Cheick Diabate, që realizoi dy gola, njërin prej të cilëve një minutë para përfundimit duke mundur 3-2 në “Stade de Frons” skuadrën surprizë të këtij kompeticioni, Evian. Bordeaux, që vinte në këtë finale me një objektiv të qartë fitimin e Kupës dhe shpëtimin e sezonit, e nisi shumë më mirë takimin duke qënë dominuese që në start. Skuadra e Bordeaux pati tre raste të mira brenda 12 minutave të para të lojës, me anë të Diabate dhe Obranjak por nuk mundi dot të gjente rrugën e rrjetës.

Gjithsesi pak para pushimit, Diabate mundi të zhbllokojë më në fund sfidën duke kaluar përpara zhirondinët. Në fillimin e pjesës së dytë Bordeaux mund të kishte mbyllur finalen, por Diabate gaboi nga pika e bardhë në të 48-tën. Për pasojë, Evian mori zemër dhe në minutën e 52-të gjeti golin e barazimit me Sagbo.

Gjithsesi "Zhirondinët" arritën të ktheheshin menjëherë përpara pasi Save pas vetëm 2 minutash kaloi përpara Bordeaux. Evian tregoi se nuk kishte ardhur rastësisht deri në finale, dhe në minutën e 72-të riktheu në barazpeshë sfidën duke shënuar dhe golin e 2-2 me anë të sulmuesit Dja Dje Dje.

Por kupa duket se ishte e destinuar të përfundonte në duart e Bordeaux, pasi Diabate, njeriu që gaboi 11-metërshin shënoi golin e tij të dytë personal të mbrëmjes pikërisht një minutë para përfundimit duke çuar Kupën në duart e Carrasos, që ngriti për herë të katërt lart për Bordon trofeun e Kupës së Francës. /albeu.com/
Shtuar më 01/06/2013, ora 10:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori