Borussia luan tenis me Stuttgartin (VIDEO)
E vështirë të parashikohej sfida për Borussia Dortmund përballë një rivali si Stuttgart, që në të shkuarën kishte triumfuar 38 herë kundrejt shifrës 29 të verdhezinjve. Nënkampionët e Gjermanisë dhe Europës u gjendën në disavantazh që në minutën e 13 me Karim Haggui që godet fort me kokë, topi përplaset në fushë dhe përfundon në trekëndësh. Goli i parë me fanellën e Stuttgartit për mbrojtësin tunizian, por euforia e 8 mijë tifozëve miq të ardhur në "Signal Iduna Park" nuk zgjat shumë.

Nga një goditje këndi, Sokratis hidhet në ajër dhe me kokë shënon golin e barazimit. Vetëm 3 minuta më vonë, Dortmundi vërshon sërish përpara me Reus që çan mbrojtjen e Stuttgartit dhe realizon në diagonale golin e tij të gjashtë këtë sezon. Pjesa e parë mbyllet me momente tensioni, pas rrëzimit të Timo Werner në zonën e penalltisë, lojtarët e Stuttgartit pretendojnë për 11-metërsh por nuk është i këtij mendimi gjyqtari Florian Meyer.

Me një super Lewandowski, Dortmundi ia bën edhe më të lehtë ndeshjen vetes në 45 minutat e dyta. Sulmuesi polak arrin të shënojë 3 gola të njëpasnjëshëm brenda 18 minutash, duke e paralizuar kështu ekipin rival, që vazhdon të luajë për inertësi. Një tripletë e tillë mungonte për Lewandowskin që prej finales së famshme të Kupës së Gjermanisë me Bayernin vitin e kaluar, ku djemtë e udhëhequr nga Klopp triumfuan 5-2 përballë skuadrës së Heynckes.

Festivali i golave në "Signal Iduna Park" gjithsesi nuk ka përfunduar dhe ai që vulos fitoren tenistike për të zotët e shtëpisë është Aubameyang.

Sttutgarti jo vetëm që nuk arrin t’i afrohet zonës së futbollit europian, por pëson edhe humbjen e parë që kur drejtimin e skuadrës e mori Thomas Schneider. /albeu.com/
Shtuar më 02/11/2013, ora 10:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori