Botërori 2014, Brazili në telashe me stadiumet
Pëlqej
Përgatitjet e Brazilit për Kupën e Botës 2014 kanë pësuar një goditje gjatë së mërkurës, pasi një gjykatë kërkoi pezullimin e menjëhershëm të punimeve në një nga stadiumet pritëse të eventit më prestigjioz të futbollit botëror, për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë e jetës.

"Arena de Baixada", i njohur ndryshe si stadiumi "Joaquim Americo Guimaraes", gjendet në qytetin e Curitiba-s. Në të priten të organizohen ndeshjet e fazës me grupe gjatë muajit qershor të vitit të ardhshëm.

Por, gjykatësja Lorena Colnago ka pezulluar të gjitha punimet në këtë stadium, pasi deklaroi se punonjësit gjendeshin në rrezik serioz për t’u plagosur. Një inspektim do të mbahet përpara rifillimit të punimeve, teksa gjykata theksoi se punonjësit ishin përballë rrezikut të "vdisnin, të binin nga lartësitë, të goditeshin nga materialet e ndërtimit, mes shumë rreziqeve të tjera të rënda".

Sipas shefit të shtypit të gjykatës, Marcos Piso, letrat për pezullimin e punimeve do të merren në zotërim nga kompania konstruktore e stadiumit, CAP/SA, gjatë së enjtes.

Një takim mes firmës ndërtuese dhe inspektorëve të gjykatës do të mbahet të premten, me synimin për të arritur një marrëveshje për të lejuar vazhdimin e projektit.

Stadiumi në fjalë zotërohet nga ekipi i futbollit Atletico Paranaense, që militon në kategorinë e parë braziliane.

Vendimi në fjalë vjen vetëm pak ditë pas vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të FIFA-s, Jerome Valcke, i cili kishte deklaruar se të gjitha stadiumet duhet të jenë duke nisur nga muaji dhjetor i këtij viti. /albeu.com/
Shtuar më 03/10/2013, ora 10:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori