Bravo: Fat të kesh shok skuadre Messin
Pëlqej
Tek Barcelona janë të të njëjtit mendim, pasi edhe portieri Claudio Bravo, etiketoi Atletico Madrid si rivalin e madh të blaugranave në garën për të fituar titullin kampion të La Ligas. Gjithsesi kiliani nuk harroi as Realin e Madridit teksa shtoi se "Los Blancos" kanë në ekip shumë lojtarë cilësorë.

"Atletico dhe Reali janë dy rivalë shumë të fortë. Los Colchoneros vazhdojnë të jenë ai ekip i frikshëm që sezonin e shkuar fitoi kampionatin. Unë mendoj se Atletico është skuadra për tu mundur në këtë sezon. Por edhe Reali për arsye se ka në organikë shumë lojtarë me kualitet besoj se do ti na bëjë gjërat më të vështira. Megjithatë momentalisht ne duhet të përqëndrohemi vetëm te vetja jonë dhe të vazhdojmë me këtë ritëm që nisëm La Ligan", u shpreh Bravo.

Por edhe pse përballë Elches, Bravo u aktivizua titullar, ai nuk e ka të sigurt vendin në formacionin bazë, pasi do ti duhet të luftojë me Marc Andre Ter Stegen. Portieri gjerman e ka marrë veten nga dëmtimi dhe pritet të jetë gati për sfidën e javës së dytë të La Ligas ndaj Villarealit.

"Trajneri nuk na e ka komunikuar ende se kush do të luajë titullar gjatë sezonit mes meje dhe Ter Stegen. Por pavarësisht kësaj unë po përpiqem të jap më të mirën time në mënyrë që të kem mundësi të luaj. Besoj se konkurrenca për vendin e titullarit është dicka pozitive në një klub të madh si Barcelona", vijoi kiliani.

Në fund ish portieri i Real Sociedad foli edhe për yllin katalanasve, argjentinasin Lionel Messi.

"Është fat ta kesh Messin shok skuadre dhe jo rival. Me cilësitë që ai ka për një portier është shumë e vështirë që ta ndalë. Kur isha pjesë e Sociedadit më ndodhte shpesh dicka e tillë. Tashmë që jam bërë pjesë e Barcës nuk më mbetet gjë tjetër vecse të shijoj mënyrën sesi ai luan futboll". /albeu.com/

Shtuar më 26/08/2014, ora 16:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori