Brazil, Dunga: Nuk ka asnjë "listë të zezë"
Pëlqej
Nuk ekziston asnjë listë e zezë në mendjen e trajnerit të ri të kombëtares braziliane. Dunga përpiqet të sqarojë njëherë e përgjithmonë opinionin publik, sepse pas emërimit të tij në stolin e Brazilit u përfol gjatë për ekzistencën e një liste, ku tekniku ka shënuar emrat e lojtarëve të padëshiruar.

Gjithmonë sipas spekulimeve, në këtë listë bëjnë pjesë Fred dhe Julio Cesar, si dy prej lojtarëve që kanë zhgënjyer më shumë në Botëror. Veç mohimit kategorik, ish mesfushori Dunga, i cili e ka drejtuar edhe më parë kombëtaren, ofroi këndvështrimin që ai ka për Brazilin e të ardhmes.

"Përgjegjësia është ajo që vlen më shumë kur vendos të luash për ekipin kombëtar, jo miqësia apo marketingu. Pas Kupës së Botës, nuk ekziston asnjë listë e zezë për mua. Futbolli është si jeta e përditshme, si puna, ku përgjegjësia ka tepër rëndësi. Kështu lojtarët nuk zgjidhen për atë që dinë të bëjnë, por për çfarë kanë bërë ndërkohë", u shpreh Dunga.

Mënyra se si përfundoi Botërori për Brazilin traumatizoi një komb të tërë, me mediat që u hodhën në sulm ndaj disa zgjedhjeve të Scolarit si dyshja impotente e sulmit Fred dhe Jo. Nuk do ta ketë të lehtë Dunga aventurën që e nis më 5 Shtator me miqësoren kundër Kolumbisë, megjithatë ai beson te një e ardhme më e mirë për Seleçaon.

"Do të kemi shansin që t’i kthejmë gjërat në favorin tonë dhe të tregojmë se çfarë ndodhi në Kupën e Botës ishte vetëm një episod. Brazilit nuk i mungojnë lojtarët e mirë. Ata u kritikuan sepse nuk dhanë rezultatin që njerëzit prisnin", përfundoi Dunga. /albeu.com/
Shtuar më 02/08/2014, ora 10:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori