Brazili "refuzon" Guardiolan
Federata Braziliane e Futbollit heq dorë përfundimisht nga alternativa Guardiola. Presidenti i CBF-së, Jose Maria Marin i dha fund hipotezave për një kalim të mundshëm të Pep te Selecao, teksa konfirmoi me gojën e tij se trajneri i ardhshëm i kësaj përfaqësuese do të jetë një brazilian.

80-vjecari, i cili gjendet në këtë post që nga 12 marsi i këtij viti shprehu respektin e tij për Guardiola-n, megjithatë Marin këmbënguli në faktin se të 5 titujt botërorë të fituar deri më sot nga verdhjeshilët janë fituar me trajnerë brazilianë.

Presidenti I Federatës Braziliane të Futbollit e bëri një deklaratë të tillë në Panairin e Futbollit, Soccerex, event që mbahet nga data 24-28 nëntor, në Rio de Janeiro, ku Jose Maria Marin shtoi se është gati gati e pamundur që trajneri I ri I kombëtares braziliane të jetë I huaj.

E përditshmja sportive “Lance”, një ndër më të rëndësishmet e këtij vendi pati nisur një fushatë për të mbështetur emrin e Guardiola-s si seleksionues të përfaqësueses braziliane, duke e nxjerrë vazhdimisht në faqe të parë emrin e 41-vjecarit spanjoll që nga e premtja e kaluar, ditë kur u shkarkua zyrtarisht trajneri Mano Menezes.

Drejtuesit e kësaj gazete kishin hyrë në kontakt me njerëz shumë të afërt të ish-trajnerit të Barcelonës, madje ditën e hënë në numrin e saj kjo e përditshme publikoi një letër të hapur dërguar presidentit të Federatës, në mbështetje të Guardiola-s. Jose maria Marin insistoi se trajneri I ardhshëm I Brazilit duhet të jetë me profil fitues, në mënyrë që të përmbushë më së miri synimet e këtij vendi për t’u shpallur kampion në Botërorin e vitit 2014.

Sipas shtypit brazilian emrat më të lakuar për këtë detyrë janë trajneri I Santos-it, Muricy Ramalho, trajneri I Corinthians, Tite, ish- trajneri I përfaqësueses Luiz Felipe Scolari, që aktualisht është pa ekip si dhe Abel Braga, që për momentin drejton fituesen e sivjetshme të kampionatit brazilian, Fluminense-n.

Në fund të fjalës së tij 80-vjecari deklaroi se që pas largimit të Mano Menezes nuk ka folur ende me askënd për këtë post, sidoqoftë Marin konfirmoi se emri I trajnerit të ardhshëm të përfaqësueses së Brazilit do të bëhet I ditur në një konferencë për shtyp, që do të mbahet vitin e ardhshëm, në javën e parë të muajit janar. /albeu.com/
Shtuar më 27/11/2012, ora 10:58
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori