Briken Calja jashtë Kampionatit Botëror
Kampionati Botëror i peshëngritjes nuk arriti të sjellë medalje për Shqipërinë as këtë të diel, me Briken Çaljen që mbeti jashtë podiumit pavarësisht një provë pozitive.

Shtangisti kuqezi garoi në baterinë A në peshën deri në 73 kilogramë, por edhe pse dëmtimet e fundit e kushtëzuan, provoi të rivalizojë më të mirët, edhe pse pa sukses.

Në shkëputje, Çalja ngriti me sukses shtangën në dy provat e para, por në të tretën vuajti një dëmtim në këmbë, që iu shtua problemeve muskulore. Në këtë kampionat ai mori vendin e 6. Në shtytje, peshëngritësi shqiptar thuajse përsëriti të njëjtën paraqitje, në fillim duke entuziazmuar me dy tentativa të suksesshme dhe më pas duke dështuar në atë vendimtare.

Kinezi Shi Zhijong u rendit i pari në dygarësh ndërsa Çalja e mbylli në vendin e 7.

Të hënën do të garojnë dhe dy peshëngritësit e tjerë shqiptar, Daniel Godelli dhe Erkand Qerimaj, të dy në peshën 81 kg. I fundit që ngjitet në pedanë në Botërorin e Ashgabatit në Turkmenistan, është Krenar Shoraj në 6 Nëntor.
Shtuar më 04/11/2018, ora 22:56
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori