Briken Calja: Mora 3 medalje, por ministria nuk më jep lekët
Pëlqej
Kampioni i trefishtë i Europës, shtërme nasi Briken Calja, përpara disa ditësh ka marrë titullin nga Bashkia Cërrik “Qytetar Nderi i Cërrikut”.

Ai ka dhënë një intervistë ekskluzive për gazetën “Panorama Sport” përpara Botërorit të Turkmenistanit. Gjithashtu, Calja ka folur dhe për federatën, si dhe për Ministrinë e Sporteve, ku kjo e fundit e ka harruar duke mos e mbështetur fare peshëngritësin.

Ai triumfoi në Europian duke fituar tri medalje ari, një rezultat ky i paarritur më parë nga asnjë peshëngritës shqiptar, pra një rezultat historik për sportin në Shqipëri. Me gjithë këtë arritje të jashtëzakonshme, ky sportist ende nuk ka marrë shpërblimin që parashikohet me ligj nga shteti shqiptar.

• Ende nuk keni pasur mbështetje nga Ministria e Sporteve në lidhje me suksesin e trefishtë që keni marrë në kampionatin europian?

"Absolutisht, mbështetja nga kjo ministri ka qenë zero. Përkundrazi, ajo e ka zbehur rezultatin tim. Nuk ka bërë minimalen, pritjen zyrtare dhe as mbështetjen financiare. Është një neglizhencë totale nga ana e saj dhe nuk e di çfarë përgjegjësie ka kjo ministri.

• Ju deri në këto momente akoma nuk jeni shpërblyer monetarisht nga shteti?

"Deri në këto momente që flasim kam marrë zero lek. Më e forta është se shpërblimin do ma japin vetëm për një medalje. A ka kush përgjegjësi që unë të shpërblehem vetëm me një medalje? Pra, a mbështetet në një ligj shqiptar që të paguhem vetëm për një medalje. Ndërkohë, federata e peshëngritjes e ka theksuar fare qartë, siç mbështetet në federatën botërore. Pra, në çdo stil apo disiplinë je kampion i saj. Si është e mundur që jam një ndër të vetmit sportistë, që shpërblehem me këtë formë të tillë qesharake si kjo e ministrisë. Shpresoj që ministria të vërë dorë dhe të ndryshojë diçka.

• A keni siguri për të vazhduar sportin në kushte të tilla?

"Përpara pak ditësh, bashkë me kampionin e Europës në atletikë Izmir Smalaj, në një intervistë jemi shprehur njëzëri për sigurinë tonë. Si sportistë të një niveli kaq të lartë, kemi zero siguri për karrierën tonë si sportistë profesionistë dhe si kampionë Europe. Pra, asnjë siguracion prej 14 vitesh si kampion kombëtar dhe prej 13 vitesh si pjesë e ekipit kombëtarë. Kam zero siguracione dhe gjithashtu jam i papunë, a mban njeri përgjegjësi për këtë situatë të krijuar? A ka drejtori sporti, a ka ministri sporti, pra a ka institucione sporti në Shqipëri?

• Si po shkojnë përgatitjet për kampionatin botëror, që do të zhvillohet në Turkmenistan dhe cilat janë objektivat tuaja në këtë garë?

"Momentalisht, po kaloj një fazë të mirë me përgatitjet. Edhe pse i dëmtuar, besoj se do t’ia dal mbanë në këtë kompeticion që është tepër i fortë. Kjo është një eksperiencë e re për mua, pasi do të ndryshojë peshë dhe nuk do të garoj më në peshën 69 kg, por në peshën e re 73 kg. Pra, nuk jam për medalje në këtë garë, por për një rezultat të mirë në kualifikimin e Lojërave Olimpike. Pas Botërorit është Europiani, i cili do “flasë” përsëri shqip.

• Aktualisht jeni pjesë e ekipit të Tiranës. A keni ju mbështetje nga ky klub dhe nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes?

"Nga federata kam shumë mbështetje, pra kam pasur vazhdimisht përkrahje nga presidenti i ri Theodhor Masllavica. Për sa i përket klubit të Tiranës ku bëj pjesë, trajtohem me trajtim ushqimorë si çdo sportist dhe me një pagë mujore 37.500 lekësh.

• Briken përpara pak ditësh ju keni marrë titullin “Qytetar Nderi i Cërrikut”.

"Po, është e vërtetë që e kam marrë dhe bashkë me të dhe një shpërblim prej një milion lekësh të vjetër. Falënderoj Këshillin Bashkiak dhe kryetarin e Bashkisë Cërrik, Altin Toska. Është një nder dhe një privilegj për mua, si dhe një vlerësim i madh që më kanë bërë duke më dhënë këtë titull. Gjithashtu, falënderoj të gjithë ata njerëz që kanë bërë një punë kaq të madhe ndaj rezultateve të mia. Nuk mund të harroj pa falënderuar familjen time, stafin drejtues me të cilin stërvitem Sokolin dhe Geraldin", përfundoi Calja.
Shtuar më 23/10/2018, ora 23:55
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori