Brozovic del negativ, gati për transfertën ndaj Borussia M’gladbach
Interi u rikthye bindës në kampionat, pasi triumfoi me rezultatin e pastër 0-3 në një transfertë të vështirë si ajo ndaj Sassuolos, ndërsa të martën e pret një tjetër përballje mjaft e rëndësishme, madje-madje vendimtare për ecurinë e skuadrës në Ligën e Kampionëve.

Kjo pasi zikaltrit do të udhëtojnë drejt Gjermanisë për përballjen me Borussia Monchengladbach, aty ku fitorja është detyrim për të ruajtur ende shanset për një kualifikim të mundshëm, ndërsa trajneri Antonio Conte ka marrë një lajm të mirë mëngjesin e sotëm.

Pas tamponit të dyshimtë dje, që e la jashtë ndeshjes me Sassuolon, mesfushori kroat Marselo Brozovic ka rezultuar negativ paraditen e sotme dhe i është bashkuar menjëherë grupit për t’u përgatitur për ndeshjen e të martës.

Rikuperimi i Brozovic është mjaft i rëndësishëm për zikaltrit, që në Gjermani do të udhëtojnë edhe pa Arturo Vidal, i cili u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen ndaj Realit të Madridit, ndaj kroati, Barella dhe njëri mes Sensit e Gagliardinit pritet të formojnë treshen e mesfushës në "Borussia Park".
Shtuar më 29/11/2020, ora 13:31
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori