Buenos Aires, rrëmbehet vëllai i Erik Lamelas
Frikë në familjen e futbollistit të Tottenham, Erik Lamela. Vëllai 18-vjeçar i argjentinasit u rrëmbye nga disa persona të armatosur në periferi të Buenos Aires. Ngjarja ndodhi në lokalitetin Vicente Lopez, në veri të kryeqytetit argjentinas. Pasi u mbajt peng për disa orë, vëllai i futbollistit u lirua sepse familja pranoi të paguante shumën prej 5 mijë Pesos të kërkuar nga rrëmbyesit.

Burime të policisë që citohen nga mediat vendase, bëjnë me dije se vëllai i sulmuesit nuk u rrëmbye për shkak të lidhjes së tij familjare me lojtarin, paga e të cilit u rrit ndjeshëm pas transferimit të tij nga Roma te Tottenham gjatë merkatos së kësaj vere, por sepse ai ishte në timonin e një makine të shtrenjtë.

Gjithsesi, historia përfundoi me një fund të lumtur sepse adoleshenti u kthye në shtëpi në gjendje të mirë, ndërsa familja e tij pagoi vetëm 650 euro për ta liruar nga personat e armatosur, të cilët nuk janë vënë ende në pranga nga policia argjentinase. /albeu.com/
Shtuar më 14/09/2013, ora 14:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori