Buffon e ka "mbyllur" përfundimisht me Kombëtaren italiane
Portieri italian i PSG, Gianluigi Buffon në një intervistë për La "Gazzetta dello Sport" ka thën se ai përfundimisht kishte mbyllur gjithçka me Kombëtaren italiane.

Ndër të tjera Buffon, ka treguar edhe lojtarin më të mirë të Italisë sipas tij, dhe ai është Marco Verratti.

“Tani për tani, Verratti është i vetmi talent i vërtetë i futbollit italian. Shumë herë, kur duke luajtur me lojtarë të zakonshëm, vihet në vështirësi për shkak se nuk e kuptojnë atë, ndërsa këtu te PSG-ja ka shans për të luajtur me emra të spikatur”, – vë në dukje Buffon, i intervistuar nga “La Gazzetta dello Sport”.

Ish-portieri i Juventusit më pas flet për supersfidën e radhës në Seria A, Juventus-Napoli, dhe Lorenzo Insigne: “Rritja e Insigne është evidente, ai është një lojtar shumë i rëndësishëm. Në qoftë se vë në kontekstin e duhur taktik, Lorenzo mund të bëjë që skuadra e tij të fitojë.

Jam i lumtur që Napoli është duke bërë mirë, sepse kam një marrëdhënie dhe respekt të madh për Carlo Ancelottin, por Juventusi është Juventus. Si klub, si mentalitet dhe si histori, Juventusi është kryesisht para të gjithëve. Madje, edhe në nivel europian, tani është ndër tri vendet e para”.

Së fundmi, Buffon e përjashton një kthim të mundshëm në ekipin kombëtar italian: “Ka momente, kur dikush me historinë time duhet të bëjë një hap prapa, për vetëmbrojtje. Mendoj se ishte e drejtë të tërhiqesha. Jetoj me emocione, gjithmonë kam dhënë gjithçka për kauzën e ekipit kombëtar. Për fat të keq, në moshën 40-vjeçare nuk mund të japësh atë që dëshiron më shumë, kështu që do të preferoja të qëndroja në shtëpi me fëmijët dhe familjen time”.

Kampioni i botës me Italinë në vitin 2006 tregon edhe bisedën që ka pasur me trajnerin aktual të axurrëve, Roberto Mancini: “Me të jam takuar në maj, ishte një bisedë konstruktive. E përsëris, ka momente kur një me historinë time duhet të bëjë një hap prapa. Mendoj se ishte e drejtë të veproja në këtë mënyrë. Ia thashë këto trajnerit dhe ai i kuptoi dhe i respektoi mendimet e mia. Kjo është shumë e bukur”.
Shtuar më 27/09/2018, ora 12:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori