Buffon i tregon rrugën Mbappes për tu bërë më i miri
Pëlqej
Portieri i PSG-së, Gianluigi Buffon, ka qenë aq i impresionuar nga Kylian Mbappe, sa beson se shoku i tij i ri i ekipit mund të bëhet një nga lojtarët më të mëdhenj ndonjëherë.

Mbappe ka shënuar 11 gola në tetë ndeshje me parizienët, këtë sezon, ndërsa e arriti kulmin në planin ndërkombëtar kësaj vere, teksa e ndihmoi Francën të fitojë Kupën e Botës 2018, duke u bërë “adoleshenti” i parë, që nga koha e Pele, që shënon gol në një finale Botërori shkruan Telesport.

Rritja e 19-vjeçarit nuk ka ndalesë dhe Buffon, i cili konsiderohet si një nga portierët më të mëdhenj ndonjëherë, nuk parashikon asnjë ndryshim të situatës.

“Nëse ai ka dëshirën për të qenë numri një, që të jetë kampion i madh, duhet të vazhdojë kështu, të punojë me përulësi për t’u përmirësuar. Ai do të ketë një karrierë të jashtëzakonshme përpara. Dhe, kur them se është i pabesueshëm, dua të nënvizoj si një nga më të mirët në histori, – tha italiani për “Canal +”.

– Ruajtja e mentalitetit është pengesa më e madhe, sepse është ende shumë i ri dhe ka përpara ndoshta edhe 15 vite karrierë. Të menduarit e duhur për një kohë kaq të gjatë nuk është e lehtë në futboll. Ajo kërkon shumë energji. Por, unë e di se ai mund ta bëjë këtë. Kylian ka forcën për ta bërë këtë”.

Ndërkohë, situata e Buffon te PSG është pak më e komplikuar, pasi ai e ka parë veten brenda dhe jashtë formacionit, në garë me Alphonse Areola: “Situata më kënaq shumë, sepse nuk kam ambicie për të luajtur 70 ndeshje në sezon. Dua të luaj një numër të arsyeshëm ndeshjesh dhe me kualitet. Unë mendoj se për të ndërtuar një ekip të fortë, PSG duhet të ketë dy portierë të mirë. Nuk e di se si do të kisha reaguar në moshën 20-vjeçare për këtë situatë, por tani që jam 40 vjeç, rotacioni është i përsosur për mua”.
Shtuar më 22/10/2018, ora 10:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori