Bundesliga duhet të mësohet me "ndeshjet fantazmë" që i ka shumë të panjohura
Me zërin e lojtarëve duke u dëgjuar në stadiume të zbrazëta e po ashtu zhurmën e topit të goditur nëpër fushë, Bundesliga e Gjermanisë do ta ketë një ndjesi krejt tjetër kur të rifillojë të shtunën, shkruan agjencia Reuters.

Pasi kanë vuajtur mungesën e futbollit për gati dy muaj për shkak të mbylljes shkaku i pandemisë COVID-19, tifozët e futbollit gjermanë duhet të adaptohen shpejt me realitetin e ri, ku gjitha ndeshjet do të luhen pa shikues si masë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Këto ndeshje pa shikues, që quhen “ndeshje fantazmë” në Gjermani, janë në parim shumë të panjohura në Bundesligë. Ndeshja e Borussia Moenchengladbachut me Koelnin më 11 mars, ishte ndeshja e vetme e elitës së futbollit gjerman që u luajt pa shikues ndonjëherë. Edhe ajo ndeshje ishte luajtur pa shikues shkaku i pandemisë.

Në pjesët tjera të Evropës, ndeshje të tilla nuk janë të rralla, ku shumica luhen si pasojë e dënimeve që kanë marrë klubet nikoqire për trazirat e tifozëve.

Por, tifozët gjermanë tash duhet të dorëzohen dhe të shohin rifillimin e ligës nga larg, duke e ditur se çdo tentim për t’iu afruar skuadrës do të përbënte shkelje të rregulloreve shëndetësore të ligës

Një total prej 300 lojtarëve, zyrtarëve dhe anëtarë të stafit esencial do të lejojnë të hyjnë në stadiume gjatë ndeshjeve.


Policia do të qëndrojë rreth stadiumeve, përfshirë edhe rreth “Signal Iduna Parkut” të Borussia Dortmundit para derbit të luginës Ruhr kundër Schalke 04 të shtunën, për të parandaluar çdo tubim të tifozëve.

“Ndonëse ne kemi dëshirë të motivojmë skuadrën sa më tepër të jetë e mundur për derbin që do të luhet në tribuna të zbrazëta, si shembull të presim në ardhjen me autobus të skuadrës, ne nuk do të mblidhemi në stadium”, ka thënë grupi i tifozëve të Borussia Dortmundit që nihet “Suedtribuene”.

Dortmundi u ka bërë apel tifozëve të qëndrojnë në shtëpi.


“Të gjithë duhet të përcjellin ndeshjen nga shtëpia, kjo është shumë e rëndësishme për rifillimin”, ka thënë drejtori i Dortmundit, Michael Zorc.

Klubet e Bundesligës kanë menduar për mënyra për të përmirësuar atmosferën në stadiume, si të lëshohet muzikë apo të mbushen stadiumet me tifozë nga kartoni, si rasti te Borussia Moenchengladbachu.

Për 19 euro, klubi ofron të vendos portretin tënd nga kartoni në tribuna dhe tifozët mysafirë po ashtu mund të kenë rastin të bëjnë këtë. Klubi ka thënë se 12 mijë porosi i ka tashmë.

Mirëpo, tifozët thonë se asgjë nuk mund të zëvendësojë gjënë e vërtetë dhe më tepër se 20 grupe të tifozëve gjermanë i janë bashkuar grupeve tjera nëpër Evropë për të bërë thirrje në emër të “Tifozëve të bashkuar të Evropës” te autoritetet e futbollit për të ndaluar futbollin derisa tifozët të lejohen në stadiume.

“Klubet e sportit duhet të kuptojnë plotësisht pasionin e mijëra personave së bashku, dhe jo vetëm të shqetësohen për biznesin e tyre. Publiku dhe tifozët janë faktor esencial i definimit sport i popullarizuar”, është thënë nga grupi. “Për këtë arsye, ne i kërkojmë UEFA-s dhe asociacioneve nacionale të mbetet pezullimi dhe të ndalohen garat e futbollit derisa të jetë e mundur prezenca e tifozëvestadiume pa pasur rrezik për shëndetin publik”.

Trajneri i RB Leipzigut, Julian Nagelsmann ndërkohë ka thënë se stadiumi pa tifozë nënkupton se duhet të kesh kujdes në gjuhën më tepër.

“Mikrofonat janë të lëshuar, zhurma në stadium është më ndryshe. Dhe do të dëgjohem më mirë se më herët. Do të mundohem të sillem në mënyrë socialisht të pranueshme dhe gjërat që them zakonisht ndoshta t’i them me zë më të ulët”, ka thënë Nagelsmann në video-konferencë.

Ai po ashtu ka thënë se nuk e di se si do të duken festimet, pasi është rekomanduar të mbahet distanca.

“Lojtarët padyshim se kanë menduar për këtë. Por, së pari të shënojmë gola dhe më pas të mendojmë për një mënyrë festimi”, ka thënë Nagelsmann.
Shtuar më 14/05/2020, ora 16:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori