Bundesliga, fitore e vuajtur e Stuttgart (VIDEO)
Stuttgart regjistron fitoren e dytë rresht në javën e katërt të Bundesligas pasi ka arritur të imponohet minimalisht 1-0 ndaj Hertha Berlin në ndeshjen e zhvilluar në "Olimpiastadion". Skuadra e trajnerit Thomas Schneider shënoi golin e vetëm të takimit me anë të mesfushorit Gentner, i cili përfitoi nga një goditje këndi duke e çuar topin në shtyllën e parë të portierit Thomas Kraft në minutën e 49-të të takimit.

Mjaftoi ky episod që vendasit të zgjoheshin për të kërkuar golin e barazimit. Ishte mesfushori i huazuar nga Hamburgu, Skjelbred ai që nuk arriti të çonte topin në rrjetë vetëm 1 minutë më pas duke humbur një rast të pastër për të barazuar, ndërsa japonezi Hajime Hosogai bëri të njëjtën gjë 9 minuta më vonë.

Trajneri Jos Luhukay kërkoi më shumë presion nga skuadra e tij dhe rastet nuk munguan për Herthan e Berlinit pasi amerikani John Brooks u tregua i pasaktë plot tre herë rresht përballë portës së mbrojtur nga Jan Ulreich. Portieri bardhekuq rezultoi vendimtar edhe me disa ndërhyrje të tjera deri në fundin e takimit, ndërsa Stuttgarti rezistoi duke rrezikuar madje të shënonte edhe golin e dytë.

Me këtë fitore, miqtë shkojnë në kuotën e 6 pikëve, ndërsa bardheblutë që regjistruan humbjen e dytë rresht, mbeten në vendin e 6 me 7 pikë. /albeu.com/
Shtuar më 14/09/2013, ora 10:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori