Bushi: Më ka ecur goli ndaj Turqisë
Pëlqej
Albeu.com
Sulmuesi kuqezi shpreson të shënojë golin e tretë ndaj turqve në përballjen e madhe të 26 marsitPas disa mëdyshjesh për sa i takon formës së tij, trajneri i kombëtares shqiptare, Hans Peter Brigel, vendosi ta grumbullonte në skuadër Alban Bushin. Golashënuesi më i mirë i përfaqësueses tregoi në fundjavë me fanellën e Dinamos se është në gjendjen optimale për të qenë i gatshëm për dy sfidat e Shqipërisë ndaj Turqisë dhe Greqisë. Ndaj Egnatias, "Loku" shënoi golin e dytë të takimit dhe lëvizi mirë në fushë. Ndoshta në ndeshjen e parë me turqit trajneri Brigel mund ta aktivizojë titullar, për vetë faktin se Bushi është një njohës i vjetër i tyre. Deri një muaj më parë, sulmuesi 30-vjeçar ishte pjesë përbërëse e Istambulsporit, por kontradiktat me drejtuesit e këtij ekipi bëri që Alban Bushi të ndërpriste marrëdhëniet kontraktuale dhe të rikthehej në kampionatin shqiptar. Në një intervistë për "Sportin shqiptar", golashënuesi i njohur i kuqezinjve flet për formën e tij, Dinamon dhe kombëtaren shqiptare, e cila më datat 26 dhe 30 mars do të luajë dy takime vendimtare për sa i takon pjesëmarrjes në Kupën e Botës "Gjermani 2006".
- Alban, pas një jave pushim si rrjedhojë e dëmtimit në kokë, riktheheni në fushë dhe menjëherë gjeni golin e parë me fanellën e Dinamos...
- Ishte një gol më se i nevojshëm për mua. Goditja që mora në kokë në ndeshjen me Teutën më la një javë jashtë fushës, kështu që ndaj Egnatias më duhej të tregoja se në çfarë gjendjeje isha kthyer. Për fatin tim të mirë, shënova dhe në fund Dinamo fitoi 3-1.
- Nuk keni gëzuar në momentin e golit. Cilat ishin arsyet?
- Nuk ka ndonjë arsye të veçantë. Ndaj rrogozhinasve për asnjë moment nuk e vumë në dyshim fitoren dhe normalisht nuk ia vlente gëzimi për atë gol.
- Në pjesën e dytë u aktivizuat më i tërhequr, duke bërë edhe disa veprime të bukura me topin. A është ky roli juaj ideal?
- Në fakt, s'kam probleme për sa i takon aktivizimit si sulmues i dytë, apo si mesfushor organizator. Trajneri Canaj e pa të arsyeshme të më kthente mbrapa dhe për mua sërish ishte e njëjta gjë.
- Me fitoren ndaj Egnatias dhe humbjen e Vllaznisë në Durrës, e ngushtoni në 4 pikë diferencën me shkodranët...
- Suksesi ynë me rrogozhinasit mori vlera të dyfishta kur u informuam se Vllaznia kishte humbur me Teutën. Dihet tashmë që Dinamo është në luftë për vendin e tretë dhe i duhet medoemos ta shkurtojë sa më shumë diferencën me shkodranët. Besoj se edhe kjo javë e kampionatit foli për ne.
- Flasim për kombëtaren. Pas disa mëdyshjesh, më në fund trajneri Brigel vendosi t'ju grumbulloj për dy sfidat e radhës me Turqinë dhe Greqinë. A ishte dëmtimi juaj arsyeja kryesore që gjermani të ishte në dilemë deri në momentet e fundit?
- Po, sigurisht. Dëmtimi që pësova në kokë mund të kishte pasoja edhe më të rënda, kështu që mendoj se trajneri priti deri në momentin e fundit për të vendosur për mua, apo edhe ndonjë tjetër. Në futbollin profesionist këto janë gjëra normale.
- A keni folur me Brigelin në telefon?
- Jo.
- Si do t'i vlerësonit përballjet e radhës me Turqinë dhe Greqinë?
- Mendoj se janë dy ndeshje vendimtare për të ardhmen në grupin tonë. Duhet ta harrojmë sa më parë humbjen me Ukrainën dhe të japim maksimumin në këto 180 minuta, për të mësuar më pas se çfarë do të ndodhë.
- Me sa pikë do të kënaqeshit në këto dy takime?
- 4 pikë do të na kënaqnin shumë, ndërkohë që 2 do të ishin minimalja që mund të merrnim. Me dy barazime në trasfertë, shanset tona për kualifikim mbeten të hapura deri në fund.
- Keni vetëm pak ditë që jeni larguar nga kampionati turk. Cili është vlerësimi juaj për skuadrën e tyre kombëtare?
- Kanë një ekip të kompletuar dhe pa shumë pika të dobëta. Në fushën e tyre janë shumë të vështirë për t'u mundur, por mendoj se mungesa e sulmuesit Kahveci, është në favorin tonë. Për sa i takon pjesës së futbollistëve që luajnë në kampionatin turk, mund të them se ua njoh me sy mbyllur lojën. Kjo do të më ndihmojë shumë për të gjetur ndoshta një gol, i cili do të ishte i treti personal, pas dy golave të tjerë në miqësoret e fituara 4-1 dhe 2-0. Pra, mua më ka ecur goli ndaj Turqisë.
- Për sa i takon ndeshjes me Greqinë, çfarë do të shtonit?
- Shyqyr që nuk luhet në Kretë. E mbaj mend mirë se çfarë na ndodhi para disa vjetësh, kur humbëm 1-0. Tani që ndeshja do të luhet në Athinë, kjo do të thotë se në mbështetje do të kemi edhe një pjesë të madhe të emigrantëve shqiptarë. Shpresoj jashtëzakonisht te një rezultat pozitiv ndaj kampionëve në fuqi të Europës, ashtu si më 4 shtator, kur i mundëm 2-1 në Tiranë.
Aurel CELIBASHI

Kuqezinjtë, sot fillon fushata anti-Turqi
Pjesa e kampionatit shqiptar, që militon në kombëtarenm kuqezi, është sistemuar që dje në rezidencën e saj të përkohëshme në Antalia të Turqisë, ku ka gjetur edhe trajnerin Brigel. Sot pritet të mbërrijnë me radhë edhe "legjionarët" që luajnë nëpër Europë, duke e bërë të plotë stërvitjen e parë kuqezi në tokën turke.
Shtuar më 21/03/2005, ora 21:16
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori