Bylisi i shënon tre gola Sopotit dhe i bën presion Lushnjës
U luajt sot ndeshja hapëse e javës së 17-të të Kategorisë së Parë në Grupin B mes Sopotit dhe Bylisit. Takimi i zhvilluar në Fushë-Krujë u fitua nga ballshiotët me rezultatin e pastër 0-3.

Renato Hyshmeri zhbllokoi rezultatin në minutën e 56-të, ndërkohë që Aldo Mitraj dyfishoi në të 90-n. Në shtesë (92’), sërish Hyshmeri me një penallti vulosi triumfin e miqve dhe dopietën personale, përcjell "Panorama".

Me këtë sukses skuadra nga Ballshi e ngushton në vetëm tri distancën e pikëve nga Lushnja kryesuese që të shtunën në orën 14:00 do t’i bëjë vizitë Apolonisë në kryendeshjen e javës.

Kurse Sopoti mbetet i parafundit me 15 pikë, dy më shumë se Elbasani, dhe rrezikon seriozisht rënien nga kategoria. Po ashtu librazhdasit duhet të bëjnë edhe pa portierin Ibrahim Bejte, i cili sot pësoi një dëmtim të rëndë.
Shtuar më 24/02/2017, ora 17:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori