Bylisi - Tirana na kthen pas në kohë, kompanitë e basteve nuk kautojnë ndeshjet e Superiores
Mjaftoi një ndeshje, Bylisi-Tirana, që ndeshjet e futbollit shqiptar të mos kuotohen më, duke na kthyer disa vite pas në kohë. Kompanitë europianebasteve, shumë të kujdesshme kur bëhet fjalë për kampionatet e vogla dhe me famë për manipulime ndeshjesh, menjëherë kanë sinjalizuar "Sportradar".

Kompania që ka marrëveshje me UEFA-n për analizën dhe zbulimin e ndeshjeve të dyshimta për trukim pritet të hartojë edhe dosjen e ndeshjes së Kupës së Shqipërisë, dosje që e pret edhe FSHF.

Që kishte luhatje koeficientesh është provuar që ditën e ndeshjes, aq sa shumë kompani e ndalën kuotimin pa u mbushur 60 minuta lojë. Natyrisht, duhen parë shumat që janë luajtur në baste dhe nga sa llogari ka ndodhur diçka e tillë, për të kuptuar nëse e gjitha ishte e organizuar për të përfituar para me një ndeshje të paravendosur.

Momentalisht gjithçka është në kuadrin e dyshimeve, por kompanitë europianebasteve nuk mund të falin para. Ndeshjet e futbollit shqiptar shihen me dyshim prej tyre dhe kjo nuk është hera e parë, pasi në Francë prej kohësh është ndaluar të kuotohen ndeshjet e Skënderbeut për shkak të dënimit që i dha UEFA.

Abcnews.al mëson se kompanitë e basteve në Europë nuk duan më informacion ‘live’ nga ndeshjet që luhen në vendin tonë dhe këtë ua kanë konfirmuar kompanive që e ofrojnë këtë shërbim. Kjo falë teatrit në Bylis-Tirana, ndeshje që po hetohet edhe nga FSHF. Ajo çfarë ishte ndërtuar vitet e fundit është prishur brenda 90 minutash, duke bërë që futbolli shqiptar të humbasë totalisht besueshmërinë e krijuar sezonet e fundit.
Shtuar më 08/07/2020, ora 14:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori