Cana flet për "lamtumirën" nga kombëtarja, do të përlotemi nga skena në "Loro Boriçi"
Lorik Cana është një ndër kapitenët më jetëgjatë dhe të dashur nga tifozët e kombëtares sepse numri 5 i Kombëtares ka shkruar historinë në fushën e blertë.

Nga fusha te lamtumira…
Po afron dita e madhe për Lorik Canën. Në “Loro Boriçi” do të vijë edhe ceremonia zyrtare. Ku pritet të ketë shumë tifozë, por jo më besnikët. “Tifozat Kuq e Zi” kanë kërkuar shtyrjen e lamtumirës, por në një intervistë për Sport Ekspres Cana shpjegon pse vendimi i tij nuk mund të shtyhet, ndërkohë që flet edhe për të ardhmen, ndër të tjera…

Shkëputur nga intervista

– Tifozët dhe lamtumira e deklaruar nga futbolli. Ajo ndaj Italisë pritet të jetë për ty ceremonia e varjes së këpucëve në gozhdë, por grupimi TKZ (Tifozat Kuq e Zi) ju ka bërë thirrje ta shtyni lamtumirën, pasi vijojnë bojkotin për ndeshjet brenda fushe. Përgjigjja juaj?

Cana: Kam biseduar me Tifozat Kuq e Zi, pra anëtarët e kryesisë. Sqarova arsyet pse kjo ndeshje duhet të bëhet tani dhe pse nuk mund të shtyhet. Është thjesht afat kohor, sepse pastaj do të bëhet shumë vonë. Një lamtumirë e vonë nuk ka sens dhe kuptim. Vendimin e kemi marrë përpara një muaji dhe e bëmë publik, që lamtumira do të ishte me Italinë. Respektoj vendimin e tyre, për të vazhduar bojkotin. Sigurisht, dëshira ime është që ata të jenë aty, por kjo nuk bën problem, sepse vazhdoj i respektoj dhe të kem mirënjohje që ka qenë shembullore në gjithë këto vite. Respektoj dhe pozicionin e tyre dhe pakënaqësinë. Kanë bërë zgjedhjen e tyre dhe duhet mirëkuptuar absolutisht.

– E ardhmja e Canës: në një kolltuk si drejtues apo në stol, pranë fushës?

Cana: (Qesh) Nuk e shoh veten duke trajnuar, për momentin… Edhe pse kam marrë licencën UEFA.

– Si logjikë, sigurisht, çfarë do të pëlqente më shumë, drejtuesi?

Cana: Sigurisht, me një projekt të rëndësishëm. E shoh më shumë veten në poltron se sa në fushë.

– Mund të marrim një shembull, që e njeh mjaft mirë, sepse të deshi te Lacio: Igli Tare. Po bën një punë fantastike prej vitesh si drejtues…

Cana: Sigurisht, Igli mbetet një referim për të gjithë, pasi është drejtuesi i parë shqiptar kaq i suksesshëm në botë dhe u shpall edhe drejtori i vitit në Itali. Mbetet udhërrëfyes për ne.

– Maldini është transferuar në Amerikë, por tani, bashkë me Nestën, por ngrenë një klub futbolli, duke financuar, teksa të njëjtën gjë po bën Bekam. A do të pëlqente që të merrje një klub dhe ta ngrije, pse jo, qoftë edhe kosovar?

Cana: Sigurisht, asnjëherë nuk i dihet. Me ndihmën e disa investitorëve, që duan të lidhen, mund të ndodhë. Nëse do të gjej njerëzit e duhur, që kanë dëshirë të investojnë, pse jo.

– Përtej Oqeanit ke shkuar me pushime, por realisht sa do të kishe dashur që të luaje në MLS, pra kampionatin e futbollit në SHBA, si shumë yje dhe kampionë?

Cana: E kam pasur në plan, por mes dëshirës dhe mundësive ka diferencë të madhe dhe disa herë nuk arrin që të realizosh planet. Nuk arrita deri aty, përpos preferencave. Gjithsesi, mund ta provoj edhe si rol drejtuesi, pse jo?!

– Të mungonte familja dhe tani që je i lirë dhe pa impenjime, si të duket?

Cana: Më mungonte jashtëzakonisht shumë. Shijoj shumë kohën me djalin, sidomos pas Europianit, që kam qenë gjithë kohës me të. Ky ishte fat për mua, sepse kam mundësi të takoj njerëzit e mi dhe të merrem me projektet e tjera, të cilat kur je futbollist nuk i ndjek dot. Si fondacioni, por edhe për të takuar njerëz që janë në Kosovë.
Shtuar më 06/10/2017, ora 17:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori