Cana ndihet "mbret" te Lazio
Edhe pse nuk është pjesë e formacionit bazë, mesfushori kosovar, Lorik Cana thotë se raporti i shkëlqyeshëm me të gjithë e bën të ndihet mirë. Ai është i bindur se do t’i shërbejë ekipit roman, ndërsa thotë se është herët të flitet për titullin e Serisë A.

Lorik Cana nuk ka luajtur rregullisht tek Lazio dhe nuk ka bindur deri tani tranjerin Reja me formën e tij. Megjithëkëtë, mesfushori kosovar ndihet i lumtur tek ekipi roman, ku thotë se ndihet si "mbret".

“Ndihem me të vërtetë mirë në Lazio. Kam raport të shkëlqyeshëm me shokët e skuadrës, trajnerin dhe tifozët. Për mua kjo është një eksperiencë e re dhe është e qartë se kam nevojë për kohë, për t’u ambientuar, mirëpo jam i qetë. Dëshiroj të bëjë mirë te kjo skuadër dhe jam i sigurt se, si unë ashtu edhe skuadra, do t’ia dalim mbanë”, deklaroi në një konferencë për shtyp ish mesfushori i Galatasaray-t.

Cana ka luajtur gjithmonë në pozicionin e mesfushorit të qënfrës, por duke e patur parasysh eksperiencën e tij me kombëtaren e Shqipërisë, 27 vjeçari thotë se mund të përshtatet edhe në rolet tjera. “Nuk kam problem që të vihem në dispozicion të skuadrës dhe të trajnerit”, shtoi ai.

Laziopo ecën mirë në kampionatin italian. Ekipi i Edi Rejës pozicionohet i dyti në Serie A. Sa i përket scudetos, Cana deklaron se kjo është herët të flitet.

“Është ende herët. Kemi një ekip mjaft kompakt dhe kualitativ. Edhe vitin e kaluar Lazio ishte një ekip që mund të luante në Evropë, mirëpo këtë vit ka në dispozicion lojtarë si Cisse e Klose, të cilët mund të bëjnë diferencën. Nuk do të jetë e lehtë, sepse edhe ekipe të tjera janë shumë të forta”, përfundoi mesfushori shqiptar i Lazios, Lorik Cana. /albeu.com/

Shtuar më 03/11/2011, ora 13:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori