Çani: Në Itali kthehem vetëm për Serinë A
Edgar Çani e ka mbyllur një herë e mirë me Italinë, të paktën për atë që luhet te inferiorët. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare po kalon një periudhë mjaft të mirë në kampionatin polak te Polonia e Varshavës dhe, nisur nga fakti se nga Italia në verën e 2011-s iku i zhgënjyer, lojtari pohon se do të kthehej vetëm nëse do kishte një ofertë të mirë nga një klub i Serisë A.

“Kampionati italian është më i bukuri në botë, por nëse do të kthehesha një ditë aty, të jeni të sigurt se nuk do ta bëjë veçse për një klub në Serie A. Kam luajtur shumë në Serie B dhe e di mirë se çfarë do të thotë”, ka pohuar Çani për mediat polake.

Lojtari ka prekur paksa edhe largimin nga skuadra siciliane, duke lëshuar indirekt edhe akuza për drejtuesit e klubit, të cilët nuk besuan në aftësitë e tij.

Polonia e Varshavës është një lloj hakmarrjeje për mua. Besoj se me këtë skuadër do arrij të luaj edhe në Kupën e Kampioneve dhe t’u tregoj atyre që nuk besuan se gabuan me mua”, ka vazhduar Çani. Dhe në fund sulmuesi ka prekur debutimin në Kombëtare. “Ishte si një ëndërr. Ishte ndeshja e parë për mua, por u ndjeva sikur të kisha kohë që luaja me atë skuadër”, ka përfunduar Çani. /albeu.com/
Shtuar më 03/03/2012, ora 16:01
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori