Capello "kryqëzon" Conten për eliminimin e Interit
"Sky Sport" ishte në zjarr pas ndeshjes, me Antonio Conte si protagonist, dukshëm i hidhëruar nga eliminimi i Interit nga Champions, pas barazimit zhgënjyes 0-0 kundër Shakhtar Donetsk, i cili nuk e shmangu turpin e vendit të fundit në grup.

Tekniku nga Salento u "shtyp" nga pyetjet e Fabio Capello, i cili, pasi vuri në dukje mungesën e bashkëpunimit të homologut të tij ("ne kemi plan B, por nuk do t’jua themi ju…"), bëri një analizë mjaft kritike mbi stilin monotematik të lojës zikaltër dhe mungesën e alternativave taktike për të trajtuar qëndrimin pengues të kundërshtarëve:

"Nëse hiqni një sulmues dhe futni një sulmues, ose gjysmë-sulmues, ju keni saktësisht atë që keni pasur më parë. Në Europë për Interin ekziston një problem i dominimit fizik. Në Itali është në rregull t’i japësh topin Lukakut, në Europë ai nuk ka shpejtësi për t’i kapërcyer kundërshtarët. Në Ligën e Kampionëve ju duhet më shumë për të dominuar. Ai duhej të rrezikonte i pari zëvendësimin, qartësisht ekipi nuk ishte në gjendje të bëhej i rrezikshëm dhe i shpejtë".

Conte shmangu përgjigjen për Capello, i cili e kishte pyetur atë rreth planit alternativ për t’iu përgjigjur mbrojtjes së ekzagjeruar të Shakhtar: Sjellje që 74-vjeçari nuk e priti mirë:

"Nëse të tjerët luajnë ndryshe, ju jeni trajneri, duhet të gjeni zgjidhjet e duhura. Ju nuk jeni si një tren, që vrapon në shina. Castro (trajneri kundërshtar) e bëri Lukakun të padëmshëm, ndërsa Conte shkon dhe heq Lautaro. Plani B nuk është parë kund. Kur fitoni, gjithçka është më e thjeshtë, por përgjigjet duhet të jepen gjithmonë. Ne kemi nevojë për respekt, sepse punojmë në botën e futbollit dhe të mediave. Përveç gëzimeve, në këtë botë ka edhe gjëra të tjera. Pyetjet që duhet bërë le t’i pranojmë. Ky eliminim për Interin është një dëm i madh imazhi dhe ekonomik. Tani, kush po vjen të luajë në Milano?"
Shtuar më 10/12/2020, ora 11:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori