Capello: Ky Real nga një tjetër planet
Tekniku i Rusisë, Fabio Capello, rezervon vetëm lëvdata për Real Madrid. Sipas tij, performanca e tyre gjatë pjesës së parë të sezonit ishte impresionuese duke e thelluar edhe më shumë bindjen e 68-vjeçarit kur deklaron se "Los Blancos" janë një nga ekipet më të mira në historinë e futbollit.

Skuadra e drejtuar nga Carlo Ancelotti numëron një seri mbresëlënëse fitoresh rradhazi dhe aktualisht merr pjesë në Botërorin e Klubeve, ndaj Capello beson se madrilenët i përkasin një niveli superior krahasuar me rivalët, duke mos kursyer komplimentat për ekipin nga "Santiago Bernabeu".

"Çdokush e kupton se ekipet e tjera nuk janë në nivelin e Real Madrid. Reali është një makineri e rëndë të tjerat janë thjesht ekipe futbolli, ekipe me lojtarë që zotërojnë kualitete shumë të mira, por që prapë nuk arrijnë kompaktësinë që i kthen madrilenët në një makineri. Real Madrid nuk është nga ky planet. Sigurisht që nuk mund të mos e them se janë një nga skuadrat më të mira të të gjitha kohërave. Ancelotti është i ndërgjegjshëm për këtë fakt dhe skuadra e tij synon fitoren në çdo ndeshje. Ata kanë gjithçka nevojitet për të arritur këtë objektiv, mbrohen mirë, kanë një mesfushë të shkëlqyer dhe talente fantastikë në sulm. Çfarë duhet të bëjnë është vetëm të ruajnë atë që kanë arritur që nga nisja e sezonit", është shoprehur tekniku italian, citon "Goal.com".


Fabio Capello ka qënë në krye të Real Madrid në dy periudha të ndryshme, fillimisht në sezonin 1996-1997 dhe më pas në 2006-2007, sezon gjatë të cilit, fitoi edhe titullin kampion në La Liga. /albeu.com/
Shtuar më 16/12/2014, ora 14:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori