"Casillas nuk vjen te Barça"
Iker Casillas te Barcelona? Kjo është thjesht fantamerkato sepse presidenti katalanas, Sandro Rosell djeg gjithë aludimet mediatike për një transferim historik të kapitenit madrilen te rivalët e urryer. Në një intervistë dhënë për radio Cadena Ser, Rosell flet për lamtumirën e Victor Valdes dhe emrat e mundshëm që mund të mbajnë mbi supe trashëgiminë e tij në katërkëndëshin e ekipit blaugrana.

"Iker Casillas? Po flasim për një flamur të Real Madrid që ka treguar përherë publikisht se dëshiron të qëndrojë në kryeqytet. Këtu dua të shtoj se ai ka një rrogë shumë të lartë të cilën nuk jemi të gatshëm ta paguajmë, prandaj nuk bën pjesë aspak në planet tona", u shpreh Rosell.

Në vijim, Rosell shtron rrugën për afrimin e belgut Courtois që po tregon një formë të shkëlqyer me Atleticon e Madridit.

"Më pëlqen shumë, është një portier i madh por për merkaton duhet të pyesni Zubizarretan sepse është ai përgjegjësi në këtë sektor të shoqërisë", përfundoi presidenti katalanas.

Në fund të këtij sezoni, Victor Valdes do të largohet nga Barcelona pas 11 sezoneve me fanelën blaugrana. Gardiani i kombëtares spanjolle nuk ka pranuar ta rinovojë kontratën, duke zgjedhur të vazhdojë një aventurë të re. /albeu.com/
Shtuar më 08/10/2013, ora 21:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori