Cavani: Kam një problem te PSG, por ai nuk është Ibra
Ka një problem që e shqetëson Edinson Cavanin te Paris Saint Germain, por nuk është Zlatan Ibrahimovic.

Në mediat franceze është përfolur shpesh për raporte të vakëta mes uruguaianit dhe suedezit, megjithatë Cavani insiston se mes tyre gjithçka shkon mirë, edhe pse nuk mund të konsiderohen miq të ngushtë.

"Nuk e di nga dalin këto zëra. Jemi futbollistë që luajmë për të njëjtin klub dhe e respektojmë njëri-tjetrin. E vetmja gjë që më shqetëson është se erdha në Paris për të luajtur si sulmues përkrah Ibrës, diçka që ka ndodhur pak herë. Në Francë njerëzit mendojnë se mund të luaj i vetëm në sulm, por nuk është ky pozicioni im. Gjërat e tjera pastaj shkojnë në mënyrë perfekte".

Nisur nga kjo pakënaqësi e Cavanit, vazhdimisht ka patur spekulime për një largim të tijin nga kryeqyteti francez. 28-vjeçari, i cili ka një kontratë deri në 2018, gjithsesi refuzon t'i mbyllë derën një aventure të re larg Parisit. Për Cavanin, prioritet është respektimi i kontratës që ka me parizienët, teksa nën zë pohoi se gjithçka mund të ndodhë nën futboll.
Shtuar më 06/04/2015, ora 11:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori