Cavani: Messi, një prej më të mirëve në botë
Edison Cavanin paralajmëron Paris Saint Germain se i pret një ndeshje e vështirë me Barcelonën, duke veçuar Lionel Messin si më të rrezikshmin.

Pas triumfit në Kupën e Ligës, Kampionët e Francës vijnë të karikuar për përballjen e parë me blaugranat në çerekfinalet e Championsit. Parizienët kërkojnë kualifikimin e parë në gjysmëfinale që nga viti 1995 me uruguaianin që e pranon se skuadrën e tij e pret një mision shumë i vështirë.

“Eshtë një sfidë e rëndësishme. Barcelona është një nga skuadrat më të mëdha në botë, ndërsa Messi është një nga më të mirët. Eshtë gjithmonë kënaqësi të luash kundër tyre. Në fazën e grupeve arritëm t’i mposhtim duke luajtur futboll të bukur”.

Parisit iu desh të vuante e të derdhte djersë përballë Chelsea për të mbërritur këtu ku ndodhet sot. Për Cavanin, skuadra duhet të motivohet për të ardhmen, duke parë nga sukseset e të shkuarës.

“Grupi ishte i bashkuar dhe kështu eliminuam një nga skuadrat favorite në këtë Champions. Jemi një ekip i madh dhe dëshirojmë të rritemi akoma më shumë në Evropë. Kemi hedhur një hap të rëndësishëm, prandaj duhet të bëjmë kujdes në çdo lëvizje të Barcelonës”.

Takimin e parë me Barcelonën, parizienët do ta luajnë në shtëpi, ndërsa ndeshjen e kthimit në Camp Nou një javë më vonë.
Shtuar më 13/04/2015, ora 14:17
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori