Cavani pëlqen rikthimin në Itali, menaxheri e drejton nga Interi
Edinson Cavanit i përfundon kontrata me Paris Saint Germain në fund të këtij sezoni, por duket se nuk ka ndërmend të largohet nga Europa dhe u ka konfirmuar menaxherëve të tij se preferon të rikthehet në Itali.

Kjo sipas mediave italiane, që konfirmojnë se përfaqësuesit e sulmuesit uruguaian kanë kontaktuar së fundi me dyshen e merkatos së Interit, Marotta-Ausilio dhe u kanë ofruar klientin e tyre për dy sezonet në vijim.

Gjithashtu mësohet se ideja është vlerësuar edhe nga zikaltrit, që do të kenë të pamundur arritjen te Olivier Giroud dhe me largimin e mundshëm të Lautaro Martinezit, do të mbeteshin vetëm me Romelu Lukakun në sulm.

Edhe Conte vlerëson Cavanin si sulmues, pasi uruguaiani është një futbollist që mund të luajë si në vendin e Lukakut, ashtu edhe në krah të belgut, duke qenë se di të dalë nga zona dhe të krijojë hapësira për të tjerët.

Momentalisht problem i vetëm mbetet paga e lartë që Cavani përfiton te PSG-ja, rreth 10 milionë euro në sezon, pasi te Interi nuk janë gati t’i japin më shumë se 13 milionë euro për dy sezone, ndaj do të jetë e nevojshme një ulje e pretendimeve të uruguaianit.
Shtuar më 27/04/2020, ora 14:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori