Cavani rrit pretendimet, dështon në fazën e fundit kalimi te Benfica
Pasi i skadoi kontrata në muajin qershor, Edinson Cavani preferoi të largohej menjëherë nga Paris Saint Germain dhe të mos luante ndeshjet e Ligës së Kampionëve, ndërsa prej më tepër se një muaji po shijon pushimet me familjen e tij.

Menaxherët e sulmuesit të njohur uruguaian po vijojnë punën për t’i gjetur një skuadër të re për sezonin e ardhshëm, ndërkohë që mediat portugeze raportojnë se është sfumuar tërësisht mundësia e transferimit të tij te ekipi i Benficës.

Këta të fundit i kishin ofruar një kontratë 3-vjeçare me pagë rreth 8 milionë eurosezon dhe marrëveshja ishte pranë konkretizimit, por menaxherët e Cavanit rritën pretendimet në momentet e fundit, duke kërkuar 10 milionë eurosezon dhe gjithçka dështoi.

Megjithatë kjo nuk pritet të jetë një problem për Cavanin, i cili është një futbollist i lirë dhe për vetë vlerat që ka shfaqur në fushën e lojës, tërheq vëmendjen e klubeve të ndryshme europiane.

Aktualisht në garë për sulmuesin ka mbetur Atletico e Madridit, por mund të kthehet fuqishëm edhe Interi, nëse drejtuesit do të vendosin të konfirmojnë Antonio Conten në pankinë edhe për sezonin e ardhshëm.
Shtuar më 23/08/2020, ora 08:19
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori