Ceferin entuziast: Europiani i verës së ardhshme do jetë një shfaqje spektakolare
Kampionati Europian 2020 u shty për një vit më vonë, për shkak të pandemisë Covid-19, megjithatë ditët e fundit kanë filluar të qarkullojnë zëra se edhe verën e ardhshme do të jetë e vështirë mbajtja e këtij kompeticioni.

Por për të shuar të gjithë hamendësimet, ka menduar vetë presidenti i UEFA-s Aleksander Ceferin, që në një intervistë të dhënë për mediat gjermane, ka theksuar se Europiani do të mbahet dhe madje në mënyrën më të mirë të mundshme.

"Vitin e kaluar ishim të papërgatitur për një situatë të tillë, por tani jemi shumë më të fortë dhe më të organizuar për çdo gjë. Kemi planifikuar si opsionin e një Europiani pa tifozë, ashtu edhe ato me 30%, 50% apo 70% të kapacitetit të stadiumeve. Natyrisht që synimi ynë është të luajmë me sa më shumë tifozë në shkallët e stadiumit, por të shohim si do rrjedhin ngjarjet", u shpreh Ceferin.

Ideja e zhvillimit të Europianit në 8 shtete të ndryshme të kontinentit u promovua nga ish presidenti i UEFA-s, Michel Platini, por Ceferin e sheh si të papërshtatshëm këtë format, veçanërisht situatën e vështirë që po kalon bota mbarë.

"Nga këndvështrimi i simbolizmit është shumë bukur, por nuk është aspak e lehtë për UEFA-n. Nuk ishte as para pandemisë dhe u komplikua edhe më shumë tani, pasi është një sfidë e madhe, por jam i sigurt që do të bëjmë një shfaqe vërtetë madhështore. Kemi organizuar mbi 420 ndeshje ndërkombëtare që prej muajit gusht dhe gjithçka ka shkuar më së miri, ndaj kam bindjen që do të jemi edhe më të qartë deri verën e ardhshme", tha kreu i UEFA-s.
Shtuar më 14/10/2020, ora 09:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori