Çekia tronditet nga trukimet, arrestohet zv. presidenti i Federatës dhe shkrihet Komisioni i Gjyqtarëve
Futbolli çek është tronditur rëndë nga një skandal trukimesh, i cili ka sjellë arrestimin e personave me peshë në këtë institucion.

Federata e Futbollit në vend sot shkriu Komisionin e Gjyqtarëve të saj, tre ditë pasi policia bëri bastisje në zyrat e institucionit duke akuzuar 20 persona për korrupsion nëpërmjet trukimit të rezultateve të ndeshjeve.

Zëvendëspresidenti i Federatës Çeke të Futbollit, Roman Berbr, i cili ishte një prej 20 personave të akuzuar, dha dorëheqjen e tij sot dhe menjëherë u arrestua nga policia.

Një ish-pjesëtar i policisë sekrete, 66-vjeçari Berbr cilësohet si një nga figurat me më shumë influencë në futbollin çek. Ai dha dorëheqjen nëpërmjet një shkrese që dorëzoi avokati i tij para se Federata të mbante një mbledhje emergjence të Komitetit Ekzekutiv.

“Të gjithë ne që jemi aktiv në futbollin çek, e lejuam që të ndodhte një gjë e tillë”, tha para mediave Martin Malik, shefi ekzekutiv i Federatës Çeke. “Situata me të cilën përballemi është anormale, është një sulm ndaj thelbit të futbollit. Nuk di të them se sa i madh do të jetë impakti që do të ketë”, shtoi ai duke shpjeguar më pas se po bashkëpunonte me policinë dhe po kërkonte udhëzime nga UEFA si të ndërtohej sa më parë një grup që do të luftonte trukimet e ndeshjeve, siç ndodhte në vende të tjera të Bashkimit Europian.

Sipas mediave çeke, fokusi i trukimeve ishin kategoritë e dyta dhe të treta në vend, me shumë gjyqtarë të përfshirë e si rrjedhojë nën hetim, pasi ishin gjetur si zgjidhja më e thjeshtë për të trukuar rezultatet e sfidave të veçanta në favor të basteve sportive.
Shtuar më 19/10/2020, ora 22:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori