Celta-Real, formacionet e mundshme (FOTO LAJM)

CELTA VIGO (4-2-3-1)
Kualifikimi mes katër skuadrave më të mira të Champions League riktheu vetvetiu qetësinë në kampin e Realit, që tashmë duhet të mendojë pa humbur kohë për kampionatin në Spanjë. Triumfi i mesjavës ndaj "Los Colchoneros", për më tepër në tentativën e tetë në këtë sezon rrit automatikisht shpresat edhe për titullin në Primera Division, ku “mbretërorët” vazhdojnë të ndjekin Barcelonën e Luis Enriques.

Fitorja e Barçës në derbin me Espanyolin për momentin e ka çuar në pesë numrin e pikëve që e e ndajnë ekipin e Ancelottit nga skuadra blaugrana, kështuqë me vetëm pesë javë të mbetura për të shpresuar në një hap të gabuar të katalanasve madrilenët janë të shtrënguar të fitojnë patjetër në takimin e vështirë me Celta Vigon.

Në orën 21:00 në "Stadiumin Balaidos" trajneri italian është i vetëdijshëm për vështirësitë që e presin, pasi edhe Barca vetë në Galici fitoi falë një goli të vonë të mbrojtësit Jeremy Mathieu, fushë ku gjithsesi Valencia u mjaftua thjesht me një barazim ndërsa Atletico e Simeones u dominua nga fillimi në fund.

Me qëndrimin në Primera Division tashmë të garantuar skuadra e Berizzos është bërë gati për një tjetër surprizë, ndërkaq në krahun tjetër trajneri emilian do të vazhdojë të ketë probleme të shumta me formacionin, pasi siç dihet do të vijojnë të mungojnë Gareth Bale, Karim Benzema dhe organizatori Luka Modriç.

Anceloti që për këtë sfidë rikuperon mbrojtësin brazilian Marcelo do të bëj cmos për të përfituar nga momenti i shkëlqyer i sulmuesit meksikan Chicharito Hernandez.

Ndërkaq pas eksperimentit të suksesshëm në mesjavë në Champions, ku trajneri italian pozicionoi Sergio Ramos në mesin e fushës pritet që 55-vjeçari nga Reggiolo ta rikthejë zv/kapitenin përsëri në qendër të mbrojtjes, manovër kjo krejtësisht e kuptueshme për shkak të forcës së ekipit galician në shtëpi, pasi Celta në Balaidos ka fituar dy nga tre përballjet e fundit me klubin madrilen. /albeu.com/
Shtuar më 26/04/2015, ora 09:12
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori