Cerci i shkel syrin Interit: Në Madrid luaj pak
Alessio Cerci ishte padyshim një nga më të mirët në fushë për Italinë në miqësoren kundër Shqipërisë. Sulmuesi i të kaltërve, që verën e kaluar kaloi nga Torino te Atletico Madrid, duket se e ka humbur durimin te "Los Colchoneros" dhe nuk e përjashton një largim nga La Liga që në merkaton e janarit për tu rikthyer në Serie A por kësaj rradhe me fanellën e Interit.

"Nëse do të shkoj te Interi? Nuk e di, është një pyetje e sikletshme edhe pse është folur shumë këto ditë. Të shohim se çdo do të ndodhë, nëse më japin hapësirën e duhur. Kam luajtur pak me Atletico-n, nëse vazhdoj të mos luaj të shohim se çfarë do të ndodhë në janar. Tani qëndroj në stol, por kam dëshirë për të luajtur, kam kaluar dy vite të rëndësishëm në Torino dhe e humbas durimin kur qëndroj në stol", ka thënë Cerci pas ndeshjes me Shqipërinë, citon "Corriere dello Sport".

Cerci e pranon se opsioni zikaltër e josh, ndërkohë që Interi kërkon të përfitojë edhe nga kaosi që ka përfshirë klubin e Marseille-s, që gjendet në telashe me drejtësinë pasi dyshohet për parregullsi në transferimet e lojtarëve, duke u hedhur në sulm për Andre-Pierr Gignac.

Sulmuesit francez i skadon kontrata në 2015 dhe ka refuzuar deri më tani rinovimin, dhe zikaltrit janë gati të përfitojnë. /albeu.com/
Shtuar më 19/11/2014, ora 13:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori