Çfarë e pengon Besnik Hasin?
Nga Ervin Kuman te Matjazh Kek, emra të njohur të trajningut europian, e së fundmi tek Enriko Fabro, italiani që njihet mirë nga Igli Tare. “Kam disa propozime dhe brenda javës do të vendos,” – u shpreh Duka në mesjavë, por në asnjë moment nuk komentoj, qoftë për t’i mohuar, emrat e përfolur nga media. Besik Hasi ka në tavolinë kontratën e ofruar nga Duka dhe të gjitha “rivalët” e tij mediatikë janë hedhur në treg më shumë për t’i bërë presion ndihmëstrajnerit të Anderlehtit, i cili ka kushtet e tij për ta pranuar këtë detyrë.

Presidenti i FSHF-së është i vendosur sa u përket kushteve të kontratës. Ai kërkon që Hasi të nënshkruajë për një edicion, pra kontratë 2-vjeçarë, me mundësi rinovimi nëse palët mbeten të kënaqura. Por nuk është dakord Hasi me këtë kusht të Dukës.

Ish-futbollisti kuqezi, tashmë 40 vjeç, është i bindur që projekti i tij kërkon një kohë më të gjatë. Kjo është arsyeja që ai nuk pranon kontratë më pak se 4-vjeçare. Në këtë pikë palët duhet të tolerojnë, për të arritur një kompromis të qëndrueshëm.

Gjakovari mund ta pranojë ofertën e Dukës për kontratë 2-vjeçare në rast se arrin marrëveshjen me Anderlehtin për të mbajtur të hapur mundësinë e rikthimit. Ai e ka të vështirë ta prishë në mënyrë të njëanshme kontratën si zëvendëstrajner dhe të marrë drejtimin e Shqipërisë, pa e ditur se cili mund të jetë pozicioni i tij pas dy vjetësh.

Dëshira e Hasit për të drejtuar Shqipërinë është shumë e madhe, por në të njëjtën kohë e rrezikshme për një trajner të ri, i cili, pasi ka lënë futbollin, nuk ka drejtuar asnjëherë si trajner i parë. /albeu.com/
Shtuar më 01/11/2011, ora 09:47
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori