Chelsea e vetmja që "ndez" merkaton e verës
Me merkaton e bllokuar për dy sezone, për shkak të një dënimi të FIFA-s për shkelje të rregullave të transferimeve, Chelsea ia doli të sistemojë njëherë e mirë llogaritë me Fair Play-n Financiar, kjo edhe falë shitjes së dyshes Hazard-Morata për një shifër prej afërsisht 130 milionë eurosh.

Megjithatë klubi londinez është rikthyer fuqishëm në merkato këtë verë dhe në një situatë ku shumë klube ngurrojnë të investojnë për shkak të pandemisë dhe të tjerë kanë nevojë të shesin për të rregulluar bilancet, Chelsea është i vetmi që po “nxeh” tregun e transferimeve.

Gjithçka nisi me marokenin Hakim Ziyech, të cilin londinezët e prenotuan që në muajin mars, por vetëm në verë konkretizuan transferimin, pasi paguan 40 milionë euro në arkat e holandezëve të Ajaxit, të cilët kishin pronësinë e kartonit të tij.

Më pas në fillim të verës londinezët “dogjën” konkurrencën e shumë klubeve europiane dhe ia dolën të marrin në “Stamford Bridge” sulmuesin e talentuar gjerman Timo Werner, për të cilin shpenzuan 60 milionë euro.

Blerja më e fundit ishte ajo e mbrojtësit të majtë anglez, Ben Chilwell, i cili erdhi nga Leicesteri për shifrën e 56 milionë eurove, duke çuar kuotën e shpenzimeve në 156 milionë euro në total deri tani, kur merkatoja nuk është hapur ende.

Megjithatë asgjë nuk ka mbaruar, pasi Lampard ka kërkuar nga klubi edhe një sforco të fundit, për të marrë në Londër mesfushorin gjerman Kai Havertz, për të cilin Bayer Leverkusen vijon të mos lëkundet nga kërkesa për 100 milionë euro.

Sipas mediave angleze, edhe Abramovich është gati ta paguajë këtë shifër, ndërsa në fillim të javës së ardhshme pritet që fantazisti i “Aspirinave” të fluturojë drejt Londrës për t’u vënë nën urdhrat e Franck Lampard.

Gjithashtu drejtuesit e “bluve të Londrës” nuk kanë braktisur as pistën Declan Rice, me mesfushorin që është një “fiksim i vjetër” i Lampard, por West Ham vijon të kërkojë 80 milionë euro për kartonin e 21-vjeçarit.

Nëse Havertz dhe Rice do t’i bashkohen Chelseat, atëherë në arkat e klubit do të ketë 336 milionë euro më pak, ndërsa po të shtosh edhe afrimin e futbollistëve me parametra zero, si Thiago Silva e Malang Sarr, kupton se londinezët kanë hedhur baza të forta jo vetëm për një të tashme të suksesshme, por edhe për një të ardhme të ndritur.
Shtuar më 28/08/2020, ora 23:24
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori