Cilët janë miliarderët kinezë të Inter
Massimo Moratti ka arritur mbrëmjen e së mërkurës marrëveshjen me shoqërinë kineze "China Railway Construction Corporation", së cilës përflitet se i ka shitur 33 % të aksioneve të klubit (sot e përgënjeshtron). Kjo do të thotë se zikaltrit tashmë do kenë në dispozicion më shumë para për të investuar në merkato, si dhe për të ndërtuar stadiumin e ri.

Pasuria e sponsorit Shoqëria aziatike "CRÇ" është themeluar në vitin 1949 dhe gjendet në vendin e 485-të të klasifikimit vjetor të "Fortune Global 500″, listës së ndërmarrjeve multinacionale më të pasura të botës. Sipas analistëve është një nga shoqëritë më të rëndësishme të merkatos së Azisë dhe e dyta në nivel botëror.

Ajo regjistron më shumë se 180 mijë të punësuar dhe qarkullon një shifër më të lartë se 45 miliardë dollarë. "China Railway", ortaku i ri i klubit zikaltër, është shumë i interesuar për projektimin dhe realizimin e një stadiumi të ri brenda vitit 2017-ës.

Sipas të përditshmes italiane "Gazzetta dello Sport", disa prej përfaqësuesve të grupit kinez do të bëhen pjesë e bordit drejtues të zikaltërve. Ky bashkëpunim do të sjellë shuma të mëdha parash të gatshme për t’u investuar për përmirësimin e klubit, në linjë me rregullat e reja të "fair-play"-it financiar. Në këtë marrëveshje përfshihet gjithashtu edhe promocioni i markës Inter në Azi.

Dje, kanali televiziv italian "Class CNBC" që merret me studimin e ecurisë së tregjeve kryesore, ka bërë të ditur se janë 33 % aksionet e Interit të blera nga grupi kinez. /albeu.com/
Shtuar më 03/08/2012, ora 18:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori