Çipi, mungesa e radhës para Turqisë dhe Greqisë
Pëlqej
Albeu.com
Aranit MURAÇI, ShekulliGeri Çipi, mbrojtësi vlonjat i kombëtares shqiptare, duket se është vërtet i pafat. Ai do t'i mungojë kombëtares shqiptare në dy ndeshjet e radhës me Turqinë dhe Greqinë, pasi dëmtimi i i pësuar ka qenë serioz.Çipi është dëmtuar disa herë radhazi, duke mos luajtur thuajse asnjë ndeshje të plotë me ekipin e drejtuar nga trajneri Brigeli, ashtu sikurse dhe me Tiranën, ekipin me të cilin aktivizohet. Vlonjati luajti një pjesë loje përballë Ukrainës, por u detyrua të lërë fushën në fillim të pjesës së dytë për shkak të një dëmtimi të papritur. Që nga ajo kohë, lojtari nuk është parë më në fushën e lojës. I rikthyer në sfidën e fundit të Tiranës përballë ekipit të Lushnjës, Çipi u duk se do të jetë gati edhe për dy ndeshjet e radhës të kombëtares, atë me Turqinë e Greqinë. Mirëpo dje vlonjati u shpreh se pas dëmtimit të fundit nuk është në gjendje të luajë asnjë nga këto takime.
- Çipi, u zëvendësuat në takimin e fundit me Lushnjën, ndërkohë që sapo ishit rikthyer nga dëmtimi. Çfarë ndodhi?
- U largova për shkak të një dëmtimi që pësova. Nuk isha në gjendje ta vazhdoja më ndeshjen, sepse ndieja dhimbje, prandaj zëvendësimi ishte i detyrueshëm. Pas largimit nga fusha, kam bërë një vizitë të shpejtë. Megjithatë, për momentin nuk di të them asgjë më shumë, përveç faktit që nuk jam në gjendje të luaj më me skuadrën.
- Për sa kohë do të qëndroni larg fushës?
- Jam në pritje të një vizite tjetër. Vizitën do ta bëj brenda këtyre ditëve në Gjermani dhe vëtem atëherë do të mësoj më saktë se kur do t'i kthehem edhe një herë tjetër fushës. Momentalisht nuk mund të luaj asnjë minutë, kështu që më mbetet të bëj kontrollin e duhur mjekësor për problemet që më kanë dalë nga dëmtimet e njëpasnjëshme. Problemet e gjurit nuk më janë ndarë gjatë tërë edicionit dhe sigurisht që më kanë shqetësuar shumë.
- Por pas pak ditësh, kombëtarja luan dy ndeshje shumë të rëndësishme me Turqinë dhe Greqinë. Po para këtyre takimeve të rëndësishme a do të riktheheni?
- Më vjen vërtet keq, sepse me gjendjen e momentit them se nuk do të jem për dy ndeshjet e ardhshme të kombëtares. Unë akoma nuk kam shkuar në Gjermani dhe gjithashtu ende nuk kam bërë ekzaminimin e dëmtimit të fundit në gju. Pastaj më duhet edhe ca kohë për t'u riaftësuar plotësisht. I kam lajmëruar mjekët dhe drejtuesit e kombëtares për këtë çështje dhe tani më mbetet të shpresoj që t'i rikthehem sa më shpejt fushës.
- Shqipëria gjatë ndeshjeve të fundit ka pasur shumë probleme me të dëmtuarit. Mos ndoshta kjo është një nga arsyet që ekipi ynë ka humbur në "Qemal Stafa"?
- Patjetër që kjo është një arsye shumë e fortë, që ka ndikuar ndjeshëm në rezultatet e fundit. Ekipi ynë ka pasur shumë probleme me lojtarët e formacionit bazë. Përveç meje, lojtarë të tjerë, si Hasi, Murati, Aliaj, Tare etj., ose nuk kanë qenë në gjendje të luajnë fare me përfaqësuesen, ose nuk kanë qenë 100% në formë për shkaqe dëmtimi. Përfaqësuesja ka qenë vazhdimisht e kushtëzuar nga problemet e papritura dhe për pak ditë janë bërë ndryshime për t'u parapritë ndeshjeve.
- Megjithëse nuk do të luani në 2 takimet e radhës, ç'mendoni për këto dy sfida përballë fqinjëve tanë, por jashtë fushës sonë?
- Janë shumë të vështira, si njëra, ashtu edhe tjetra. Dy kundërshtarë të fortë ballkanas, me mjaft reputacion në aktivitetet e rëndësishme ndërkombëtare, me të cilët jemi ndeshur disa herë gjatë viteve të fundit dhe deri diku i njohim mirë. Sigurisht, kur flitet për sfida të tilla, duke qenë se dihen pretendimet e Greqisë dhe Turqisë, për sa i përket rezultatit është e vështirë të flasësh. Megjithatë, humbja që na shkaktoi Ukraina nuk do të thotë se Shqipërisë i janë mbyllur tashmë dyert e fitores, qoftë edhe për ndeshjet që luan jashtë fushës. Gjatë viteve të fundit, të gjithë e kanë parë nivelin e lojës së kombëtares, kështu që duhet të jemi më tepër optimistë.
- Shqipëria, pas një vendimi të fundit, do t'i luajë ndeshjet me Gjeorgjinë dhe Kazakistanin pa tifozë....
- E kam mësuar me hidhërim, si çdo shqiptar tjetër, një gjë të tillë. Pas marrjes së vendimit të fundit, vërtet është për të ardhur keq që Shqipëria do të luajë dy ndeshje në "Qemal Stafa" me shkallë të boshatisura. Kur luan ekipi ynë përfaqësues, jo vetëm në "Qemal Stafa", por edhe nëpër rrugët e kryeqytetit përkrahja e tifozërisë sonë përherë ka qenë e pakrahasueshme.
- A mendoni se shanset tona për një biletë në Gjermani kanë marrë fund pas humbjes me Ukrainën?
- Mendoj se 2 ndeshjet e radhës mund të jenë përcaktuese. Por gjithashtu deri në fund kanë mbetur shumë ndeshje të tjera, kështu që gjithça varet nga rezultatet që do të arrijmë ne dhe të tjerët.
- Kur sezonit po i vjen fundi, a keni menduar për të ardhmen tuaj?
- Akoma. Së pari, më duhet të kaloj dëmtimin. Pa iu rikthyer fushës së lojës dhe ekipit me të cilin luaj, pra Tiranës, nuk kam si të mendoj për edicionin tjetër.
Shtuar më 18/03/2005, ora 22:30
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori