Çmenduria e Klopp: Hyn në takim me lojtarët i veshur me mbathjet e Ronaldos
Georginio Wijnaldum ka zbuluar se si Jurgen Klopp u paraqit në analizën para finales së Ligës së Kampionëve me bokset e markës së Cristiano Ronaldos.

Kjo ndodhi para përplasjes së vitit 2018 me Real Madridin, në Kiev. Presioni ishte te “Reds”, sepse ata luanin finalen e tyre të parë të këtij lloji që nga viti 2007.

Nga ana tjetër, të bardhët pretendonin titullin e tyre të tretë radhazi dhe ia arritën.

Duke qenë i vetëdijshëm për presionin, që lojtarët e tij mund të kishin përpara ndeshjes, Wijnaldum ka zbuluar sesi trajneri Klopp veproi si amortizues në këtë drejtim.

Ai mbërriti në analizën para ndeshjes i veshur me mbathje (bokse) të markës “CR7 Cristiano Ronaldo”:

“Ne pamë se ai kishte veshur pantallona të shkurtra (bokse) të Cristiano Ronaldos. Këmishën e kishte futur pikërisht në mbathjet, që kishin logon “CR7”.

E gjithë salla shpërtheu, ne u shtrimë në dysheme duke qeshur. Kjo me të vërtetë e theu akullin.

Zakonisht në ato situata, të gjithë janë seriozë dhe të përqendruar, por Klopp ishte i qetë dhe e bëri këtë për shaka. Ai ka bërë qindra shaka të këtij lloji, për të na larguar presionin.

Nëse shihni se trajneri juaj është me të vërtetë i sigurt dhe i qetë, atëherë kjo do të ketë efekt edhe te lojtarët. Jurgen ka një figurë prej babai për lojtarët.

Me shaka dhe gjuhën e trupit, ai e heq presionin nga lojtarët. Kur kam problem, mund të shkoj gjithmonë te trajneri. Mund t’i shkruaj disa ditë më parë dhe ta pyes nëse ka një minutë kohë për mua.

Ai është gjithmonë kurioz për çfarë dua të konsultohem: A është diçka e keqe, e mirë? Çfarë është ajo? Klopp gjithmonë përpiqet të bashkëjetojë me personin tjetër, do të ndiejë atë që po kalon.

Ai është një njeri me të vërtetë i veçantë për mua. Unë e shoh atë më shumë se një trajner, si një mik me të vërtetë të mirë. Të gjithë më pyesin si është si person.

A është e rreme ajo sjellje hokatare në publik? Jo, kështu është ai. Edhe në stërvitje, ai është i njëjti. Jurgen është gjithmonë i sinqertë dhe sigurohet që ne të mos fluturojmë. Përpiqet të na mbajë me të dyja këmbët në tokë”.

Shtuar më 14/08/2019, ora 11:14
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori