Coentrao: Dua ti tregoj Realit sa vlej
Pas dështimit të pistës për kalimin në formë huazimi te Manchester United për një sezon, Fabio Coentrao është i vendosur të tregojë se e meriton të jetë një lojtar i "Los Blancos". Portugezi ishte vetëm një hap larg nga ekipi anglez dhe gjithçka dukej se ishte pranë finalizimit, por tratativa dështoi pak minuta nga fundi i merkatos së verës.


Mbrojtësi i krahut të majtë te Real Madrid do të vazhdojë të luajë në Spanjë dhe i duhet të luftojë me shokun e skuadrës Marcelo, por edhe të fitojë besimin e teknikut Ancelotti për një vend në formacionin titullar.

Për objektivat e sezonit që sapo ka nisur, Coentrao foli për të përditshmen sportive portugeze "O Jogo".

"Dëshiroj që paraqitja ime të jetë më e mirë se e sezonit të kaluar. Dua t’u tregoj të gjithëve se e meritoj të jem një lojtar i Real Madrid. Pata një mundësi për t’u bashkuar me Manchester United, por tani ndodhem te Reali dhe kjo është ajo që ka më shumë rëndësi", është shprehur portugezi.

Edhe pse transferimi i Coentraos nga Benfica te madrilenët pati jehonë 2 vjet më parë, kjo edhe për shkak të shifrës së konsiderueshme prej 30 milionë eurosh, lojtari portugez nuk e ka patur të lehtë të konfirmohet në 11-she dhe të luajë rregullisht. Në dy sezone, 25-vjeçari ka luajtur në 63 takime, ndërsa debutimin këtë sezon do ta ketë në transfertën me Villarreal javën e ardhshme, pas dëmtimit të Marcelos në miqësoren që Brazili zhvilloi me Australinë. /albeu.com/
Shtuar më 08/09/2013, ora 18:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori