Conference League, bojkoti i Superiores dhe objektivat: Duka i thotë të gjitha (VIDEO)
Armand Duka, kreu i FSHF-së, pasi Shqipëria fitoi të drejtën për organizimin e finales së Conference League në maj të vitit 2022, doli në një video-konference dhe foli për shumë çështje. Mes të tjerash ai theksoi se deri atëherë me shumë mundësi do të jemi në kushte normale dhe mungesën e tifozëve në një event të tillë nuk e mendon.

“Sjellja e një finaleje në vendin tonë është një e mirë për gjithë Shqipërinë dhe shpresoj të sjell lajme të tjera të mira. Rruga për të ardhur te organizimi i këtij vendimi nuk ka qenë e lehtë, nuk ndodhi me një mbledhje apo me një lobim. Ka qenë një përgatitje serioze e FSHF-së. Nuk kemi aplikuar për herë të parë, e kemi bërë edhe më parë për Superkupën e Europës. Nuk ia kemi dalë, por kemi vazhduar sërish.

Sigurisht ka pasur dashamirësi nga UEFA për të na ndihmuar dhe dje u miratua. Është kompeticion i ri, zhvillohet për herë të parë dhe na pëlqen edhe më shumë. Kjo pasi finalja e parë zhvillohet në Tiranë. Do marrim pjesë skuadra jo të Champions apo Europa League. Gjithsesi mund të ketë edhe skuadra të mëdha, prej formulës. Jemi të aftë dhe do të mund ta zhvillojmë këtë finale. Do të konfirmojmë edhe një herë se jemi pjesë e Europës”.

“Gara për të organizuar një finale bëhet e tillë, që paraqitet dokumentacioni dhe shikohet a plotësohen kriteret. Rekomandimi ka qenë pozitiv nga ana e administratës të UEFA-s. Edhe më parë ka pasur qëndrim pozitiv, kur tentuam finalen e Superkupës së Europës. Infrastruktura në Shqipëri ka ndryshuar. Në objektivat e ardhshëm është që të kërkojmë një turne finale në moshat e reja, që është me tetë skuadra. Një turne për U19 do të ishte perfekt, që të bëhej në katër stadiume. Normalisht ne do të aplikojmë edhe për finalen e Superkupës”.

“UEFA nuk ndikohet dhe nuk i ndryshon rregullat. E ka vlerësuar punën ndër vite, ndryshimin në infrastrukturë dhe më pas ka vendosur për të na dhënë finalen. E ka bindur institucioni, jo anëtari Komitetit Ekzekutiv. Jemi të bindur që ne mund të organizojmë jo vetëm finale të Conference League”.

“Nuk dua ta besoj se ishte lojë për fillimin e garës. Edhe rikthimi u bë edhe me kontributin tim, për ta zgjidhur gjithçka si partnerë. Dua ta besoj se ka akoma ditë deri më 31 dhjetor për të plotësuar kërkesat. Janë kërkesa minimale dhe kryeministri e priti mirë dhe Shqipëria duhet ta ketë atë fond. Nuk bëhet fjalë për ndonjë shifër që e cenon buxhetin e shtetit shqiptar. Shenja nuk ka pasur, por le të mendojmë se qeveria ka pasur shumë halle dhe do nisë të mendojë për ne sërish”.

“Sa përfitohet nga finalja? Organizimi nis që nesër, deri në ditën e finales. Lumi i punës deri atë ditë do te jetë i madh. Kemi pasur raport të shkëlqyer me institucionet shtetërore dhe private, me ministri të ndryshme dhe Bashkinë e Tiranës, apo edhe aeroportin. E kanë kuptuar që është një event që i sjell të mira Shqipërisë dhe na kanë ndihmuar. Në një takim tjetër mund të flasim për aspektin financiar. Që të zhvillohet futbolli duhet një shtrat ligjor, kushte të përshtatshme zhvillimi. Kam pasur premtimin e kryeministrit dhe besoj se do ta bëjë. Normalisht do të duhet të kishte pasur lëvizje edhe nga ata që shfaqen në kohë krizash”.

“Objektivi personal? E kishim synim të sillnim një finale europiane që kur nisi stadiumi. Objektivat e rinj vendosen në vazhdim. Kemi mundësi të arrijmë shumë gjëra, mund të rikthehemi sërish në Europian si në EURO2016, apo të kemi nivel tjetër të skuadrave tona në kompeticionet europiane. Normalisht duhet një shtysë për të ecur përpara dhe këtë e ka në dorë qeveria”.

“Kam qenë kundër bojkotit dhe nuk jam pro as për në të ardhmen. Jam për ndërgjegjësimin e klasës politike që të bëjë punën e vet. Futbolli nuk kërkon lëmoshë, por që të ushtrojë detyrën, të bëjnë atë për të cilën i kemi zgjedhur. Vërtetë kemi 1001 halle dhe nuk është sporti veç pasion, por një degë ekonomie që mund t’i japë buxhetit. Do të flasim me shifra se sa i jep futbolli buxhetit. Ligji i Sponsorizimit nuk sjell nivel të lartë direkt, por krijon kushtet për të mbijetuar dhe të rritet”.

“Deklarata e zëvendësministrit grek? Nuk e di çfarë është thënë në Greqi. Nuk besoj se ka të drejtë ai që e ka thënë. Kemi aplikuar dhe kemi qenë seriozë. Na u besua dhe ju garantoj se do e bëjmë në mënyrë të shkëlqyer organizimin e finales së Conference League”.

“Nuk donim të kishim bar artificial. Provuam natyral dhe nuk doli e suksesshme. Nuk mund të jetë në gjendje të përballojë as ndeshej të kampionatit shqiptar e aq më pak për një finale që do një fushë 10 me yll. Do nisim punën për përmirësimin e fushës. Do vendoset impiant ndriçimi që ndihmon në ndriçimin e fushës, si dhe një impiant ventilimi. Nëse bari nuk do të jetë në gjendje të mirë në fillim, atëherë do të kalojmë me tapet me bar hibrid. Kështu e kishim menduar dhe është më mirë natyrali. Nëse nuk ia dalim kalojmë në hibrid”.
Shtuar më 04/12/2020, ora 12:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori