Conte: Lukaku e Sanchez nuk janë gati, drejtuesit të ngrenë zërin për arbitrimin
Te Interi të gjithë janë me mendjen te sfida e javës së ardhshme ndaj Realit të Madridit në Ligën e Kampionëve, por përpara saj do të jetë përballja e nesërme ndaj Parmës në “San Siro”, një ndeshje që duhet fituar patjetër nga zikaltrit.

Trajneri Antonio Conte doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp, ku foli për kundërshtarin e nesërm, gjendjen fizike të disa futbollistëve, por edhe gabimet e arbitrave, teksa pati edhe një apel për drejtuesit e klubit.

Ndeshja me Parmën – Skuadrat e Liveranit duan të luajnë vazhdimisht me topin dhe e dimë mirë se çfarë na pret nesër. Natyrisht që çdo ndeshje ka historinë e saj, por nesër duhet të bëjmë maksimumin për të marrë tre pikët.

Gjendja e Lukakut – Ndjeu një shqetësim gjatë ekzekutimit të goditjes së dënimit ndaj Shakhtarit dhe nuk do të jetë gati për sfidën e nesërme. Nuk e di a do të jetë me ne në Madrid, por mund t’u them se do të luajë vetëm kur të jetë rikuperuar plotësisht, pasi nuk duam të rrezikojmë.

Sanchez – Edhe ai vijon të ndjejë një shqetësim muskulor që kur është kthyer nga kombëtarja dhe nuk do të jetë në dispozicion për nesër. Shpresojmë shumë që ta kemi me vete në transfertën ndaj Realit të martën.

Sulmi – Është e sigurt që do të luajë Lautaro nga minuta e parë dhe në krah të tij kemi alternativa si Pinamonti e Perisiç. I pari është një djalosh interesant, që po angazhohet maksimalisht, pasi e ka kuptuar mirë çfarë duam ne prej tij. Duhet “të hajë ende shumë bukë të fortë” për t’u shndërruar në një alternativë të vlefshme, por kemi besim se mund të bëjë mirë. Perisiç është provuar në sulm edhe verën e kaluar gjatë përgatitoreve dhe mund të them se ka disa cilësi që mund ta bëjnë të përshtatet mirë aty.

Forma e Gagliardinit – ne kemi punuar me futbollistët edhe gjatë kohës që kanë qenë në karantinë, pasi u kemi dërguar këshilla si të ruajnë formën sportive. Kjo u pa qartë edhe me Young, që luajti dhe tregoi se ishte në formë mjaft të mirë. Edhe Gagliardini ka qenë mjaft në formë gjatë këtyre ditëve, por të shohim nëse do të luajë nga minuta e parë apo jo.

Vidal – Ndryshe nga koha kur ishte te Juve, tani e shoh shumë më të pjekur, pasi kujdeset shumë për pozicionin. Mesfushorët tanë kanë karakteristika sulmuese dhe i kam kërkuar Arturos që të tregohet më i kujdesshëm në pozicionim dhe të mbyllë hapësirat.

Brozovic – Po bën shumë mirë, por edhe ai vetë e ka të qartë që ka një marzh përmirësimi shumë të madh. Duhet të vijojë të punojë dhe të japë maksimumin, pasi në një sezon si ky kemi nevojë për të gjithë.

Gabimet e arbitrave – Sigurisht që ka pasur episode që na kanë penalizuar, por nuk është detyra e një trajneri që të merret me to. Drejtuesit e skuadrës duhet të analizojnë rastet dhe të ngrenë zërin në zyrat e duhura, për të mos pasur më episode të tilla.

Shtuar më 30/10/2020, ora 21:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori