Conte niset për pushime, i le porosi drejtuesve të Interit emrat e preferuar për merkato
Pas një takimi më tepër se tre orë të gjatë në një vilë në periferi të Vareses, Antonio Conte dhe drejtuesit e Interit u sqaruan për gjithçka dhe vendosën të vijojnë projektin e nisur së bashku një vit më parë.

Ditën e djeshme trajneri zikaltër ishte në zyrat e klubit, ku burimet mediatike konfirmojnë se u ul sërish me Marottën, Ausilion e presidentin Stiven Zhang, për të planifikuar lëvizjet në merkato gjatë këtyre ditëve.

Antonio Conte pritet të niset me pushime për pak ditë dhe vetëm në fillim të shtatorit do të rikthehet për të nisur përgatitjet për sezonin e ri, por ka preferuar të lërë porositë e tij te drejtuesit edhe për operacionet e merkatos.

Kështu në mbrojtje emri që pritet të sakrifikohet, është ai i sllovakut Milan Skriniar, i cili nuk është përshtatur dot në mbrojtjen me tre dhe Conte ka dhënë miratimin për shitjen e tij në rast të ndonjë oferte interesante.

Momentalisht adhuruesit e Skriniar janë në Premier League, me Tottenham që po këmbëngul për një shkëmbim kokë më kokë me mesfushorin francez Tanguy Ndombele, por zikaltrit preferojnë më mirë shitjen e sllovakut dhe arkëtimin e një shifre prej 55-60 milionë eurosh.

Emri që do të zëvendësojë Skriniar në rast largimin nga Interi, do të jetë pikërisht mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare Marash Kumbulla. Zikaltrit kanë një marrëveshje si me futbollistin, ashtu edhe me Veronën, por po presin të qartësojnë të ardhmen e Skriniar, për të vendosur nëse do ta marrin menjëherë Kumbullën në Milano, apo do ta lënë edhe një sezon në “Bentegodi”.

Në mesfushë priten edhe lëvizjet më të mëdha, me Conten që ka vënë në listën e lojtarëve që mund të shiten uruguaianin Matias Vecino, italianin Roberto Gagliardini dhe kroatin Marselo Brozovic, që është titullar, por nuk shihet si i pazëvendësueshëm.

Momentalisht në këtë repart shpëtojnë vetëm Nicolo Barella, Stefano Sensi dhe Cristian Eriksen, ndërsa spanjollit Borja Valero mund t’i ofrohet edhe një rinovim një vjeçar, nëse do të duhet për të mbushur numrat.

Emri i parë që mund t’i shtohet organikës së Contes për sezonin e ri është ai i mesfushorit të Brescias Sandro Tonali. Mediat në Itali këmbëngulin se zikaltrit kanë arritur marrëveshjen me Brescian për shifrën e 35 milionë eurove dhe me mesfushorin që do të nënshkruajë për 5 sezone me pagë 2.5 milionë euro në vit, ndërsa tani ka mbetur vetëm zyrtarizimi.

Më pas po në këtë repart do të synohet afrimi i një emri me peshë, ku prioritet për Conten është francezi N’golo Kante, por nëse nuk d të arrihet te mesfushori i Chelseat, do të merret në konsideratë patrioti i tij Tanguy Ndombele.

Të dy këta futbollistë kanë karakteristikat e duhura që Conte t’i rreshtojë para mbrojtjes, pasi garantojnë forcë fizike, rezistencë, rikuperime dhe mbi të gjitha qarkullim të mirë të topit, ndërsa tani drejtuesit e Interit do të duhet të sjellin njërin prej tyre në Milano.

Një tjetër futbollist që mund të vijë nga Londra në orët e ardhshme është edhe anësori Emerson Palmeiri, i cili është një nga të preferuarit e Contes dhe tani ka dalë jashtë planeve të Chelseat, që së fundi afroi Ben Chilwell në atë rol.

Në orët e ardhshme pritet që Ausilio të udhëtojë drejt Londrës për të mbyllur transferimin e Emerson dhe mbi të gjithë për të hapur negociatat për blerjen e Kante, të dy këta njohje të vjetra për Conten.

Sa i përket sulmit, Conte ka kërkuar që të mos hiqet dorë nga Lautaro Martinez dhe që argjentinasi bashkë me Lukakun, Sanchez dhe një emër të ri si Pinamonti, të përbëjnë katërshen që do të përballojnë sezonin e ardhshëm.

Megjithatë nëse Barcelona arrin të ofrojë shifrën e kërkuar nga Interi, atëherë Conte ka udhëzuar drejtuesit që të afrojnë si zëvendësues të Lautaros, pikërisht kapitenin e Romës, Edin Dzeko.

Ky i fundit u kërkua edhe një vit më parë nga Conte, që dëshiron të formojë një dyshe “gjigantësh” në repartin e avancuar, me Dzekon e Lukakun, të dy të aftë të dalin nga zona dhe të vihen në dispozicion të skuadrës, por mbi të gjitha, të dërgojnë topin në rrjetë.

Një tjetër futbollist të cilin Conte e ka kërkuar që nga dita e parë kur u transferua te Interi, është mesfushori kilen Arturo Vidal, por deri më tani drejtuesit e klubit zikaltër kanë refuzuar të shpenzojnë për kartonin e një futbollisti 33-vjeçar.

Gjithsesi Vidal tani ka marrë konfirmimin nga Koeman se nuk bën pjesë në planet e tij dhe nëse do t’ia dalë të prishë me marrëveshje kontratën me Barcelonën, atëherë te Interi janë gati t’i ofrojnë një bashkëpunim dy vjeçar.

Megjithatë për Vidal duhen pritur ditët e fundit të merkatos, pasi te Barcelona do të provojnë fillimisht ta shesin dhe vetëm në mungesë të ofertave, mund ta lënë të lirë për të vendosur vetë të ardhmen.

Sa i përket ëndrrës së madhe të të gjithë tifozëve zikaltër, por edhe adhuruesve të kampionatit italian, Lionel Messit, duket gati-gati i pamundur një transferim i tij te Interi.

Kjo pasi deri tani nuk ka asnjë të dhënë për nisjen e negociatave mes palëve dhe se mediat në Itali këmbëngulin që strategjia e klubit zikaltër është krejt tjetër dhe nuk parashikon një investim kaq madhor në këtë periudhë.
Shtuar më 27/08/2020, ora 08:55
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori