Costa flet për ardhjen e Ronaldos te Juventusi
Douglas Costa ka zbuluar se kishte dyshime rreth Cristiano Ronaldos, pasi ky i fundit u bashkua me Juventusin, por pranon se portugezi i fitoi të gjithë shumë shpejt në Itali. Ronaldo erdhi nga Real Madridi verën e kaluar për një marrëveshje prej 112 milionë eurosh.

Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” e ka justifikuar deri më tani investimin e klubit bardhezi, duke qenë pararojë e kryesimit të Serie A dhe shkuarjes në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Futbollisti 34-vjeçar shënoi një “tripletë” në 1/8 finale, duke përmbysur Atletico Madrid 3-0 në Torino, pas disfatës 2-0 në “Wanda Metropolitano”.

Ylli portugez ka shënuar 24 gola në të gjitha garat, në sezonin e tij të parë me Juventusin. 19 prej tyre janë realizuar në Serie A. Bashkëlojtari bardhezi, Douglas Costa, zbuloi shqetësimet e tij fillestare rreth dhomës së zhveshjes, se ajo do të bëhej e paqëndrueshme:

"Besoni apo jo, por kur u bisedua për ardhjen e Cristiano Ronaldos, unë pyeta: cila do të jetë tashmë situata në dhomën e zhveshjes? Ne të gjithë duhet ta duam njëri-tjetrin si shokë ekipi, sepse të tërë kërkojmë një vend në ekip, por Cristiano i fitoi të gjithë shumë shpejt. Ai është një djalë i thjeshtë dhe që dëshiron vetëm të fitojë. Juventusi po kërkonte një lojtar me mentalitetin e tij, kështu që ai na ka dhënë shumë.

Kur mbërriti, mendova nëse lojtari më i mirë në botë është bashkuar me ne, apo jo? Me të, klubi u përmirësua në çdo aspekt, kontributi i tij është i dukshëm. Ai shënon gola çdo javë, ka sjellë më shumë tifozë në stadium dhe ne shpresojmë të fitojmë gjëra të mëdha, të bëjmë histori me të”.

Juve, që do të përballet me Ajax-in në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, do të udhëtojë për në Genoa të dielën. Ronaldo, ndërkohë, u listua në skuadrën e Portugalisë për herë të parë që nga Kampionati Botëror 2018, duke shpresuar se forma e tij në klub do të “përkthehet” e tillë edhe në skenën ndërkombëtare, në kualifikueset e “Euro 2020”.
Shtuar më 16/03/2019, ora 09:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori