CR7: Do pushoj kur të vijë koha, tani jo
Pëlqej
Cristiano Ronaldo nuk ka nevojë për pushim. Këtë fakt e konfirmoi vetë ylli portugez, i cili në një intervistë theksoi se është vetëm fillimi i sezonit dhe ai ndihet mirë kështu që nuk është e domosdoshme që të ulet në stol në asnjë ndeshje, pavarësisht kalendarit të ngjeshur që ka Real Madrid në këtë periudhë.

Ronaldo vuajti shumë prej problemeve fizike në fundin e sezonit të kaluar, por edhe gjatë Botërorit "Brazil 2014", gjithsesi 29-vjeçari luzitan tanimë ka lënë gjithçka pas dhe këtë gjë e tregon më së miri fakti që trajneri i "Los Blancos", Ancelotti, që prej takimit me Atletico Madrid në La Liga e ka aktivizuar CR7 në çdo ndeshje të skuadrës së tij.

"Ndodhemi vetëm në fillim të sezonit dhe unë dua të luaj në çdo sfidë për fituar besimin në vetvete dhe për të arritur formën maksimale. Kur të vij momenti i duhur për të pushuar do ta bëj një gjë të tillë por tani jo. Të përmirësohem akoma edhe më tepër është një nga objektivat që i kam vendosur vetes. Momentalisht jam mirë dhe nuk ndiej asnjë lloj dhimbjeje. Po eci me hapa të kënaqshëm, por pavarësisht se jam në rrugën e duhur dua të jap akoma më shumë", është shprehur Ronaldo.

Në vijim të intervistës, "Topi i Artë" theksoi edhe njëherë tjetër se i ka hedhur pas krahëve problemet fizike që nuk e kanë lejuar të japë më të mirën e tij në muajt e kaluar.

29-vjeçari ka shkëlqyer me Realin në sfidat e fundit. Në takimin e mesjavës ndaj Elches ai shënoi 4 herë duke u ngjitur në kuotën e 9 golave në La Liga pas vetëm 5 javëve të para. /albeu.com/
Shtuar më 26/09/2014, ora 16:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori